Shtohen forcat policore në Lazarat, 6 arrestime. Policia: Kryekomunari Aliko ndihmoi trafikantët

Janë bërë 800 forcat policore të cilat edhe sot vijojnë aksionin në Lazarat për të asgjësuar drogën. Mësohet se në orët e para të mëngjesit 5 autoblinda janë nisur nga fshati Dervican, drejt fshatit “rebel”, ndërsa forcat speciale po avancojnë shtëpi më shtëpi për marrë nën kontroll situatën, pasi gjatë mbrëmjes kanë vijuar të shtënat e armëve pa pushim. Raportohet se një efektiv i FNSH-së ka mbetur i plagosur rreth orës 02:00 pas mesnate. Policia sqaron se i plagosur ka mbetur efektivi S.M, punonjës i Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër.
Mënjesin e sotëm policia bën me dije se janë arrestuar 6 nga personat që dyshohet se qëlluan ndaj policisë ditën e djeshme: Matjas M. Bocia 23 vjeç, Juxhin A. Bocia 19 vjeç, Florian N. Shurdhi, Xhevahir M. Doçi 29 vjeç, Ali M. Basha 46 vjeç, Emiljano B. Aliko 31 vjeç. Por nga ana tjeter vetë Policia e Shtetit akuzon se trafikantët e Lazaratit arritën të çanin rrethimin e policisë falë ndihmës që iu dha kreu i komunës, Dash Aliko. Kreut të komunës iu dha mundësia të shkonte dhe të negocionte me grupin e personave që ishin rrethuar nga uniformat e policisë. Por, sipas policisë, gjatë këtyre përpjekjeve, Aliko jo vetëm që nuk ka mundur që t’i bindë personat, por u ka dhënë edhe mundësi atyre që të largohen nga vendi i rrethimit.
a.k
Add new comment