Shtabi i NATO-s instalohet në Shqipëri. Marrëveshja në Kuvend, qeveria duhet t’i sigurojë truallin dhe paprekshmërinë

Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë do të ngrejë qendrën e tij ushtarake në Shqipëri, duke bërë që NATO të ketë një bazë të re në Ballkanin Perëndimor. E përditshmja “Shqip” në një artikull të saj shkruan se në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Europë (SHAPE) e shtabit të komandës supreme aleate për transformimin, në plotësim të protokollit të Parisit”. Sipas “Shqip” veç SHAPE, në Shqipëri do të vendosen dhe trupat e Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin. “Me aderimin në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut për statusin e forcave të tyre dhe në protokollin për statusin e shtabeve ushtarake ndërkombëtare, të ngritura në përputhje me Traktatin e Atlantikut të Veriut, Shqipërisë i lind detyrimi të marrë përsipër përgjegjësinë e vetme për realizimin e rregullimeve të përshtatshme për t’ia bërë të vlefshme një force apo një përbërësi civil ndërtesat dhe tokën që ajo kërkon, si dhe mjediset dhe shërbimet që kanë lidhje me to. Bazuar në këtë marrëveshje, shtabi aleat gëzon statusin juridik të organizatave ndërkombëtare në vend” thuhet në relacionin e qeverisë.
L.V
http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/29/shtabi-nato-s-instalohet-ne-shqiperi/
Add new comment