Shtëpia e Kongresit (atij që kryeministri përmend çdo 21 janar) po na lë shëndenë

"Nuk është e zakonshme për mua të komentoj kalendarin, datën, por sot nuk mund të mos ndalem pa komentin dhe qëndrimin tim. Sot është një ditë e madhe në historinë e kombit, dita e Kongresit të Lushnjës, ditë që ndryshoi historinë e shqiptarëve, ditë nderimi dhe vlerësimi të madh për të gjithë ata që me burrëri, zotësi, aftësi, vetëmohim, përkushtim bënë..." etj. - tha Berisha 4 ditë më parë, dy vjet pas vrasjeve qeveritare të 21 janarit 2011.
"Nuk është e zakonshme" për të, të "komentoj kalendarin", por cdo 21 janar, në fakt e bën. Dhe përmend Kongresin e Lushnjes si "ditë nderimi.." Nderimi me fjalë është i lehtë aq më tepër për një si Berisha, por nderimi me vepra ku është?
Shtëpia muze ku 93 vjet më parë është mbajtur Kongresi i Lushnjes është drejt shkatërrimit të plotë. Kryebashkiaku i këtij qyteti, Fatos Tushe thotë në të përditshmen "Gazeta Shqiptare":
"Për herë të fundit, godinës i është bërë një restaurim total në vitin 1970. Problemet me të cilat banesa përballet sot janë të shumta. Tashmë godina po shkon drejt shkatërrimit, pasi çatia e çarë ka bërë që shirat e vjeshtës dhe dimrit të hyjnë brenda, duke e amortizuar atë pak e nga pak dhe duke e çuar drejt shkatërrimit total. Ambientet e brendshme të saj, muret janë çarë, ka lagështirë në çdo kënd, tavani prej dërrase është hapur në shumë vende, muret nga jashtë janë të mbytur në lagështirë. Ia kemi bërë të ditur Ministrisë së Kulturës në Tiranë. Jo vetëm me gojë, por edhe në mënyrë zyrtare, me anë të shkresave të shumta, kam vënë në dijeni vetë ministrin e Kulturës, z. Aldo Bumçi, ashtu si edhe Institutin e Monumenteve të Kulturës. Nuk është bërë absolutisht asgjë, nuk është miratuar lëvrimi i asnjë lloj fondi. Mëkat i madh që një monument i tillë me vlera shumë të madha historike dhe kulturore, një godinë me vlera kombëtare të shkatërrohet". (a.th)
Add new comment