Shqiptarja.com aludon bëmën e parë të kreut të ri të SHISH; shkruan se është zhdukur dosja e Remzi Hoxhës

Postuar në 26 Shtator, 2012 03:29

E përditshmja “Shqiptarja.com” flet sot mbi një shkresë që kreu i ri i SHISH-it i ka dërguar Gjykatës lidhur me procesin gjyqësor mbi zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Shkresa thotë që në SHISH nuk ka dokumentacion mbi rrëmbimin e Hoxhës. Për gazetën kjo dëshmon që dosja e Remzi Hoxhës në SHISH është zhdukur. (SHISH zhduk dosjen e vrasjes së Remzi Hoxhës në 1995” – është titulli).

Shkruan Shqiptarja.Com: “...Ashtu, siç pritej Shërbimi Informativ Shtetëror ka favorizuar të pandehurit e procesit gjyqësor “Remzi Hoxha”, - duke informuar Gjykatën e Krimeve të Rënda se në arkivat e tij nuk ka asnjë informacion që tregon se biznesmeni Hoxha është rrëmbyer nga agjentët e SHISH. Në një shkresë që kreu i ri i SHISH Visho Ajazi Lika, i ka dërguar gjykatës, pranohej se të pandehurit Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, kanë qënë në vitin 1995 informatorë të SHISH, por që në arkivat e këtij institucioni nuk është arritur të gjendet asnjë e dhënë që të provonte për rrëmbimin e shtetasve Zizo Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, ky i fundit sot e kësaj dite i zhdukur plotësisht...”

Televizioni TCH, raporton ndërkohë se ky proces gjyqësor po shkon drejt fundit: “Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar datën 5 tetor për pretencën e prokurorisë për rastin Hoxha. Gjyqi për Remzi Hoxhën ka përfunduar pa dëshminë e të dyshuarit kryesor Ilir Kumbaro, i cili ndodhet nën akuzë bashkë me ish-zyrtarët e tjerë të SHIK-ut, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. Deri para disa muajsh Kumbaro ndodhej në Londër ku po zhvillonte një proces gjyqësor kundër ekstradimit të tij në Shqipëri, por duke përfituar nga një lirim i përkohshëm ai u arratis dhe për momentin vendndodhja e tij nuk dihet”.

Zhdukja e biznesmenit Remzi Hoxha konsiderohet si një nga krimet më të rënda dhe shpesh herë, organizata të ndryshme humanitare ndërkombëtare i kanë kërkuar shtetit shqiptar zbardhjen e saj. (A.N.)

Comments

Submitted by Tiku (not verified) on

<p>Gjyqi ka rreth 10 vjet qe ka nisur, pikerisht sot e gjeten ti kerkonin dosjen Shikut???</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.