Shpirti studentor nuk ka vdekur… (në Prishtinë ama)!

Sipas portalit Koha Ditore, sot në Prishtinë studentët janë përleshur me policinë. Nga përleshjet rezultojnë disa studentë të lënduar dhe disa të tjerë të ndaluar në polici. Ishin përfaqësuesit e Parlamentit studentor të UP-së, të cilët me dhunë u futën në oborrin e rektoratit, raporton KTV. Qëllimi i tyre ishte që të kundërshtojnë, siç kanë thënë ata, emërimet politike që janë bërë në këtë institucion. Por policia ndërhyri menjëherë dhe i nxori të gjithë nga oborri i këtij institucioni. Gjatë ndërhyrjes policia ka përdorur sprej.
Përfaqësuesit e studentëve thonë se kur njerëz të politikës janë në fund të karrierës së tyre, rehabilitohen në Universitetin e Prishtinës. Studentët kundërshtojnë fuqishëm emërimin e Nuri Bexhetit për prorektor në UP. Musa Preteni, nga Parlamenti i Studentëve, ka thënë se i sapoemëruari si prorektor për Arsim, Nuri Bexheti, është i njohur për keqpërdorime dhe mashtrime.
Sipas Pretenit, Nuri Bexheti është shkelës i ligjit, duke qenë ligjërues i rregullt në tri fakultete, në atë Filozofik, Juridik, në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe në disa fakultete private. Nga ana tjetër, rektori i ri, Ibrahim Gashi, i cili sapo ka marrë edhe zyrtarisht detyrën nga pararendësi i tij, Mujë Rugova, ka thënë se emërimet janë bërë konform statutit të UP-së. Ai ka shprehur keqardhje që ka nisur punën në këtë situatë të krijuar, e cila sipas Gashit, nuk ka qenë aspak e nevojshme.
Çudia e vërtetë është që paska student shqiptarë gati të përleshen për atë që besojnë dhe paska Parlament studentor që nuk ka si synim t’I shërbejë parties në pushtet për të përfituar ca kocka.
k.c.
Add new comment