Shmangin diskutimin për 7 raporte mbi të drejtat e njeriut – thotë Totozani dhe pranon vështirësi në marrëdhëniet me Kuvendin

Disa javë më parë Avokati i Popullit formuloi zyrtarisht dy propozime për vendin e një prej 3 komisionerëve të këtij institucioni. U prezantuan dy kandidatura nga kategoria e personave me aftësi të kufizuar, konkretisht dy juristë nga shtresa e të verbërve. Ligjërisht i takon tashmë Kuvendit t’i marrë në shqyrtim e t’i votojë. Por çfarë po ndodh me këto kandidatura?
“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Kuvendi për komisionerët tanë – thotë Avokati i Popullit Igli Totozani në një intervistë në televizionin Ora News. Dhe jo vetëm kaq. Totozani thotë se Kuvendi zvarrit dhe nuk shqyrton prej muajsh raporte shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut në Shqipëri, madje tashmë kanë nisur të shmangin edhe asistencën e ekspertëve në ligje delikate për këto të drejta siç është ai i përgjimeve, i nëpunësit civil etj.
Thotë Totozani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit lidhur me marrëdhëniet AP-Kuvend:
“Po mundohemi të kemi një bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë, duke qenë se edhe nga pikëpamja hierarkike, jemi Ombudsmanë parlamentarë, pra e kemi shumë të rëndësishëm dhe jetik bashkëpunimin dhe ndihmën e Kuvendit në punën dhe aktivitetin e përditshëm të Avokatit të Popullit. Ajo që do të konstatoja është se megjithë kërkesat tona, të vazhdueshme gjatë këtij viti që ky bashkëpunim të jetë sa më i ngushtë, kjo nuk ka ndodhur. E kemi furnizuar vazhdimisht Parlamentin me rekomandimet tona, me raporte të veçanta, me analiza të ekspertëve të institucionit në lidhje me ligje të veçanta, por.... Mund t’ju them që gjatë këtij viti ne kemi dërguar 7 raporte të posaçme Parlamentit të Shqipërisë. Natyrisht parlamenti nuk është i detyruar që t’i diskutojë, por është një ndihmë e madhe për Avokatin e Popullit, është një ndihmë e madhe gjithashtu për qytetarët, për shoqërinë civile, për komunitetin ndërkombëtar që punon vazhdimisht për përmirësimin e standardeve në Shqipëri që këto raporte të diskutoheshin. Dhe herë tjetër e kemi thënë që sipas ligjit të Avokatit të Popullit nëse këto raporte nuk diskutohen në Parlament, ato është e pamundur që të bëhen të njohur për publikun e gjerë shqiptar, por ky publik ka nevpjë të diskutojë dhe të shikojë në mënyrë transparente problematikat e të drejtave të njeriut në fusha të caktuara. Si institucion gjithashtu thirremi rrallë gjatë diskutimit të ligjeve, të cilët janë të një rëndësie të veçantë. Nuk ndodhi psh kur u diskutua në parlament ligji për përgjimet dhe ju e dini që ky është një ligj mjaft specific dhe i veçantë, i cili do një këndvështrim të të drejtave të njeriut. Gjithashtu me sa di në strukturat parlamentare po qarkullon ligji për nëpunësin civil, një nga tre ligjet që Europa i kërkon Shqipërisë, ne kemi dërguar një mendim.. Janë ligje që prekin të drejtat e njeriut dhe jo vetëm ne, por kërkesa jonë ka qenë që të ftohemi ne dhe shoqëria civile...” a.n.
Add new comment