Shlyerja e faturave, vetëm 1 milion dollarë përfunduan te bankat

Postuar në 30 Nëntor, 2014 06:48

Nga raportimet e bankave rezulton se 67 subjekte që kanë marrëdhënie biznesi me sektorin publik janë kredimarrës në banka në stade të ndryshme, sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë, përgatitur pas kërkesës për informacion nga revista ekonomike “Monitor”.

Për muajin shtator 2014, shlyerjet e detyrimeve të qeverisë ndaj këtyre subjekteve (klientë të bankave) raportohen në nivelin 22.8 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e pashlyera ende, ndaj klientëve debitorë të bankave, janë në masën e rreth 20 miliardë lekëve.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, klientët kredimarrës që kanë përfituar nga shlyerja e detyrimeve të qeverisë kanë aktualisht detyrime ndaj sektorit bankar në vlerën e 22.6 miliardë lekëve ose rreth 4% e të gjithë portofolit të kredisë së tij. Prej kësaj vlere, rreth 4.8 miliardë lekë ose 21% përfaqësojnë detyrime të pashlyera në afat që përfshin edhe kredinë me probleme.

“Nëse do të supozonim se, shlyerja e detyrimeve të qeverisë do të shfrytëzohej nga subjektet kredimarrëse për të paguar detyrimet me vonesë ndaj bankave, atëherë vlerësohet se, raporti i kredive me probleme të sektorit bankar do të ulej me 0.8 pikë përqindje. Por kjo vlerë, sipas Bankës së Shqipërisë, do të jetë e ndryshme në periudhat në vijim, në varësi të shlyerjes së detyrimeve nga qeveria” shkruan “Monitor”.

 Aktualisht, subjektet kredimarrëse që kanë përfituar nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, kanë paguar rreth 109 milionë lekë (rreth 1 milion dollarë) kredi me vonesë. Ky vlerësim lidhet edhe me ndikimin e drejtpërdrejtë të pagesave mbi kredinë me probleme. Në realitet, gjykohet se ky ndikim është më i madh, pasi nga pagesat e qeverisë dhe likuiditeti përfitojnë mjaft subjekte, që kanë ose do të kenë marrëdhënie biznesi me subjektet që përfitojnë drejtpërsëdrejti nga shlyerjet. Ky ndikim i tërthortë është i vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, por ai vlerësohet i dobishëm për përmirësimin e aftësisë paguese dhe uljen e rrezikut të kreditit, thuhet në vlerësimet e BSH.

http://www.monitor.al/raporti-i-bsh-shlyerja-e-faturave-vetem-1-milion-usd-perfundojne-te-bankat/

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.