Shkullaku: Me ‘restaurimin’ e Enverit, Rama mban militantët me punë

Armand Shkullaku në një shkrim tek “Mapo”, me titull “Enver Hoxha i Edi Ramës”, pasi ngrë disa pyetje pse kryeministri nuk mban një qëndrim për diskutimet mbi ish-liderin komunist jep dhe shpjegimin e tij.
Sipas tij “Edi Ramës as nuk i kërcet për Enver Hoxhën. Ai e ka hallin tjetërkund. Këtë zhurmë e këtë debat që po prodhohen me kaq intensitet në gjashtë muajt e fundit, kryeministri i ka në funksion të qëllimeve të tij politike”.
“Duke provokuar një ndarje ideologjike, madje me tone të nxehta si në fillim të viteve ’90, ai u hedh një kockë për t’u lëpirë militantëve fanatikë, që në mungesë të saj do të kafshonin atë vetë, të zhgënjyer nga fillimet e qeverisjes së majtë. Në mënyrë indirekte ai u risjell atyre përplasjet e egra të 20 viteve më parë, për t’u kujtuar se armiku është përsëri tek dera. Nuk kanë rëndësi vendet e punës, premtimet, pakënaqësitë ndaj qeverisë, kur rreziku projektohet diku tjetër”, shkruan drejtori i televizionit ABC Neës.
Shkullaku nënvizon se Rama me heshtjen për ato që ndodhi më 5 maj “lë të kuptohet se për hir të postit që ka nuk mund të dalë hapur me një fotografi të Enverit, por me zemër është aty mes pionierëve që vigjilojnë me grusht në varreza sipas Porosisë së Madhe të komandantit”.
“Edi Rama nuk e ka për gjë t’i tradhtojë bindjen apo veprën e tij personale për hir të interesave të momentit. E ka bërë sa herë është vënë në provë. Pak rëndësi kanë shkrimet dhe qëndrimet e tij të dikurshme për Enver Hoxhën, më pak akoma se çfarë ka thënë për enveristët e marksistët brenda PS. Enver Hoxha tani i duhet. Jo thjesht për t’i kopjuar fjalimet e imituar përshëndetjet me dorë që i bën popullit. Ai i duhet që së vdekuri të sajojë një betejë tjetër për të gjallët. Si ato të dikurshmet. Madje po të mundte, Edi Rama do t’i huazonte edhe shprehjen e famshme duke e modifikuar në: “Edhe bar do të hamë e Enverin nuk e shkelim”. Mund t’i bënte punë në këto kohë të vështira”, përfundon Shkullaku.
http://mapo.al/2014/05/enver-hoxha-edi-rames/
S.S
Add new comment