Shkrimtari Kiço Blushi takim letrar me shqiptarët që banojnë në Francë

Në sheshin Denfert Rocheraut Paris 13, u zhvillua këtë javë, një takim me shkrimtarin e njohur shqiptar Kiço Blushi. Në një kënd të sheshit historik, simbol i mbrojtjes së Francës, u mblodhën miqtë e shqiptarët me banim në Francë, me dëshirën dhe respektin për tu takuar me shkrimtarin e skenaristin e librit dhe të filmit të tyre mitik të fëmijërisë , “Beni ecën vetë”, si dhe për tu njohur me disa nga botimet e tij të fundit botuar në Tiranë, romanet, “Gjuha e Gjakut” apo “Mos”. Ishte rasti për tu njohur nga afër me këtë shkrimtar që e nisi krijimtarinë e tij letrare në vitet 60’, dhe që tashmë ka hyrë në historinë e letërsisë shqipe. Shkrimtari dhe studiuesi Luan Rama foli mbi veprat e Kiço Blushit, duke e njohur nga afër krijimtarinë e Tij duke punuar se bashku në qendrën historike të filmit shqiptar, Kinostudion “Shqipëria e Re”. “Tek Kiço Blushi pikëtakohen novelisti i talentuar, kineasti me përvojë dhe publicisti i angazhuar i së vërtetës”, tha Luan Rama. Shkrimtari Kiço Blushi i falënderoi të pranishmit për praninë e tyre në dhe i dhuroi bibliotekës “Albinfos” librat e tij.
L.V
Add new comment