Shkëlzen Maliqi: Kam neveri ndaj konfliktualitetit të përhershëm që po e dikton militantizmi partiak me një delirizëm gati maniakal

Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit Edi Rama për marrëdhëniet me rajonin thotë se, ende mungon një vlerësim objektiv për kontributin e Ibrahim Rrugovës.
“Unë e kam shkruar deri sa ai ishte gjallë, në vitin 2000, një libërth kritik për politikën e Rugovës “Pse ka dështuar rezistenca paqësore” që reflekton vitet ’90. I kam analizuar anët pozitive dhe mangësitë e politikës së tij, që kushtëzuan paraqitjen e pashmangshme të rezistencës së armatosur ndaj të cilës Rugova nuk ka pas qëndrim të drejtë, dhe kjo ka lënë pasojë në antagonizmat e pasluftës deri edhe në ndasitë e sotme, se cili krah i rezistencës, paqësori apo i luftës, ka dhënë më shumë kontribut në internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe shpalljen dhe afirmimin e pavarësisë”, thotë Maliqi.
Për Tiranën, ai thiotë se është një qytet i kontradiktave të mëdha. “Nga njëra anë je i bindur se po bëhet qytet i hapur dhe i mundësive, kurse nga ana tjetër ndodhin gjërat që tranzicionin e paraqesin si një proces tejet të frikshëm. Unë kam qëlluar vetëm 50 metra larg vendit në momentin kur është vrarë mizorisht Artan Santo. Skena që e kam parë pas disa minutash kur kalova pranë kufomës së tij edhe sot nuk më hiqet nga mendja. Kam një averzion edhe ndaj konfliktualitetit të përhershëm që po e dikton militantizmi partiak me një delirizëm gati maniakal, e që në të vërtetë nuk po gëzon më përkrahjen e shumicës së njerëzve që duan ritme më normale të zhvillimeve edhe kur ka dallime në interesa dhe mendime”, thotë ai në një intervistë për gazetën “Mapo”.
Maliqi thotë se eksiton kërcënimi nga fundamentalizmi islamik i shqiptarëvfe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe se radikalizmi ka qenë prezent por tani është bërë i dukshëm.
“Për shumicën e shqiptarëve ky radikalizëm deri vonë nuk ka qenë as i dukshëm, sepse nuk e kishte forcën që të bëjë provokime serioze. Skandalet që bënin kanë qenë kryesisht verbale dhe simbolike, p.sh. publikonin pamfletet kundër Nënë Terezës apo Skënderbeut, ose i kundërshtonin dhe përdhosnin përmendoret e tyre”, shprehet ai.
Maliqi thekson se, “beteja kryesore kundër fundamentalizmit islam do të duhej të zhvillohet nga vetë bashkësitë e fesë islame në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, duke i larguar dhe kufizuar ndikimin që kanë imamët predikues të ekstremizmit”.
http://mapo.al/2014/08/shkelzen-maliqi-nje-komb-kosovar-tend...
S.S
Add new comment