Shembja e obeliskut në Kavajë, PD: “Edi Rama ka minuar përfundimisht stabilitetin politik në vend”

Partia Demokarike e ka konsideruar si provokim të rëndë shembjen nga INUK, sot në Kavajë, të simbolit të demokracië. Bëhet fjalë për obeliskun që imiton dy gishtat e që është ndërtuar për të përkujtuar lëvizjen e parë kundër regjimit të para viteve ’90. Me këtë rast kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ka dalë me një deklaratë të posaçme për shtyp: “Edi Rama ka provokuar sot dhunshëm demokratët e vendit, por dhe mbarë qytetarët, duke shembur simbolin e lirisë dhe të demokracisë në qendër të Kavajës. Simboli i dy gishtave, përfaqëson sakrificën e gjithë kombit tonë, për ditët e vështira të rrëzimit të sistemit komunist. Kavaja ishte pionere e ardhjes së demokracisë në vend, dhe e meritonte me dinjitet simbolin në mes të qytetit. Me këtë akt, Edi Rama ka ndezur fitilat e një revolte popullore. Me këtë akt të shëmtuar e provokues, Edi Rama ka kaluar çdo kufi, ka dhunuar haptazi qytetarët e Kavajës dhe të gjithë vendit që nuk pajtohen me përpjekjen e tij për të rilindur diktaturën, pjellë e së cilës ai është. Duke shembur simbolin e demokracisë, Edi Rama ka minuar përfundimisht stabilitetin politik në vend, pasi e kishte goditur atë në mënyrë të përsëritur me shkallmimin e kolonave të demokracisë dhe bashkëjetesës politike”, tha Paloka.
s.z
Add new comment