Shënim: Sikleti i Berishës për një ceremoni normale. Le të ngushëllohemi që të paktën, nuk i lë zyrat bosh

Dy fjalime pas shpalljes së rezultatit të 23 qershorit, ai i Edi Ramës (dhe pjesa ku i drejtohet Berishës), dhe ai i Sali Berishës pas tre ditësh, ku veç pranimit të humbjes njoftoi edhe tërheqjen nga drejtimi i partisë, na krijuan përshtypjen se më në fund, rotacioni normal i pushtetit dhe njëfarë sjelljeje kalorsiake (që në vende të tjera nuk quhet e tillë, por krejt e zakonshme) në çastin e ndërrimit të ekzekutivit, hodhën rrënjë edhe tek ne. Nuk qe e thënë. Pak ditë më pas, si me sustë, situata ndryshoi: Gjuhë e ashpër nga Berisha, deri në insinuata për mosnjohje rezultati, dhe rikthim në llogoret e luftës sonë të ftohtë. Dhe vijmë tek lajmi për mungesën e Berishës në të ashtuquajturën ceremoni simbolike të pritjes në zyrë të pasardhësit në qeverisje, dhe dorëzimit “të çelsave” dhe dosjeve të punës. Në momente të tilla, nuk shtrohet çështja nëse pritja dhe një dorështrëngim i mundshëm do të ishte hipokrite dhe e shtirur, sepse dy personazhet e kanë bërë të qartë ç’mendojnë për njëri-tjetrin. Çështja është tek mesazhi që përcillet: Zgjedhje normale, humbësi i uron punë të mbarë fituesit dhe vendi u rikthehet punëve. Por në mungesë të normales, duhet të kënaqemi me zëvendësuesen e normales: Berisha e ka bërë gati dokumentacionin për vijimësinë e rregullt të punës së qeverisë; dosjet do të dorëzohen nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Gjergj Lezhja, dhe atë ditë mesa duket të sikletshme për Berishën, Rama do të pritet në Kryeministri nga Lezhja dhe shefja e Protokollit, Nadia Qesja.
a.k
Add new comment