Shënim: Shkresa sekrete e policisë, heshtja e/ndaj ministrit të Brendshëm dhe disa qëndrime inkoherente të mazhorancës dhe opozitës

Postuar në 17 Mars, 2015 09:02

Një ditë më parë, në media u publikua një dokument sekret i policisë, përmes të cilit bëhej e ditur se gjatë operacionit “Laguna e Vilunit”, një person i mbajtur në vëzhgim dhe i kërkuar për trafik droge, nuk u arrestua pasi hipi në makinën e deputeti Mark Frroku. Kjo akuzë shumë e rëndë, u pranua pjesërisht dje në emisionin “Opinion” nga vetë deputeti Frroku, i cili deklaroi se policia e kishte ndaluar makinën e tij, por në të nuk ka qenë asnjë person i kërkuar. Pyetja e parë që lind që këtu është: pse atëherë makina e deputetit Frroku u ndalua nga policia? Shqetësimi për çështjen është bërë publik që në atë kohë nga PD-ja, e cila ndryshe nga sa pretendon sot, denoncoi faktin se “i kërkuari u mbrojt nga një deputet i mazhorancës”, por pa përmendur emrin e tij. Çështja vjen e bëhet shumë delikate, teksa Policia e Shtetit, pranon publikisht faktin, por përpiqet që të minimizojë përgjegjësinë, duke implikuar në vendimin e saj për të mos ndaluar shtetasin e kërkuar, edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në krye të së cilës ka qenë Eugen Beci. “Për sa i përket insinuatave me natyrë politike, për veprimet operacionale policore, Policia e Shtetit sqaron se vendimet gjatë çdo faze të operacionit “Laguna e Vilunit”, janë marrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të cilën ka ndjekur këtë prej më shumë se një viti procedimin penal për veprimtarinë e këtij grupi kriminal”, thuhet në deklaratë. Pse vallë Policia e Shtetit shqetësohet për insinuata me natyrë politike, kur ato edhe kur janë hedhur në qarkullim, kanë patur si objektiv, titullarin politik të saj, ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri? Ky i fundit në daljen e fundit në “Opinion” ndër të tjera tha se ai nuk merret me çdo të ndaluar, apo me çdo operacion, sepse është titullar politik. Pra, edhe sipas kësaj paraqitjeje të punës që bëhet nga ministri, Policia e Shtetit nuk ka pse të shqetësohet për insinuatat politike. Kjo qasje ndaj publikut lë të kuptohet se Tahiri në këtë rast ka përdorur PSH-në për një replikë politike të vetën, përderisa teknikisht dokumenti i dalë në media është përgjegjësi e policisë. Mirëpo insinuatat politike marrin ngjyra shumë të “çuditshme” kur shikon sesi opozita e përdor faktin e publikuar në media. Ja se çfarë tha sot, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani: “Prej 24 orësh, Edi Rama dhe Ilir Meta heshtin, edhe pse u bë botërisht e njohur, se ata e kanë zënë deputetin Mark Frroku në flagrancë, duke marrë në mbrojtje një person të kërkuar për trafikun e drogës. Trafikanti u la i lirë, dhe deputeti Frroku gjithashtu nuk pati asnjë pasojë, sepse e gjitha kjo është në funksion të manipulimit të hetimit, dhe fshehjes së të vërtetës, në lidhje me akuzën më të rëndë të 25 viteve të fundit, që Kryetari i Parlamentit ka porositur vrasjen e dy deputetëve”. Kjo nuk ka sesi të ndodhë, përderisa trafikanti është lënë i lirë në 2 tetor 2014, kurse akuza e Tom Doshit është bërë në shkurt 2015. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk ka sesi të kenë parashikuar atë që do të vinte më pas dhe me këtë rast të inskenonin këtë rreng ndaj Frrokut që disa muaj më parë. Përndryshe do të duhet të besojmë se këta të dy janë shumë më të zgjuar sesa na duken dhe se sa janë në fakt. Ka shumë interes fakti se edhe në këtë çështje që implikon direkt siç u tha dje, ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin, si dy persona që kishin dijeni për ngjarjen, opozita e riorienton vëmendjen drejt kryetarit të Kuvendit. Ndërkohë që vetë policia ka shërbyer një “akuzë” edhe për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por që nuk përmendet nga PD-ja. “E gjithë kolona kryesore e shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ministri i Brendshëm, Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit janë përfshirë në këtë skemë kriminale të manipulimit të hetimit dhe mbulimit të ngjarjes, kapjes së dëshmitarëve, e presionit të vazhdueshëm ndaj prokurorisë, për të penguar drejtësinë, për të fshehur të vërtetën...Ilir Meta duhet menjëherë të japë dorëheqjen e të largohet nga presioni që po i bën prokurorisë. Edi Rama duhet menjëherë të rrijë larg procesit, ndryshe është njësoj i akuzuar si partneri i tij Meta”, tha Ristani. Pse vallë opozita nuk kërkon dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, i cili sa kohë pranon shkresën si të vërtetë, pranon edhe se teknikisht nuk arrin dot të jetë ministër? Nëse e shohim ngjarjen e djeshme dhe publikimin e shkresës me optikën e divergjencave brenda koalicionit të majtë dhe sipas idesë se me çështjen “Doshi”, Edi Rama doli i fituar, shkresa e djeshme rivendos ekuilibrin mes tij dhe Metës në imazh publik. Kjo sepse kryetari i Kuvendit nuk del gjëkund i implikuar me operacionin “Laguna e Vilunit”, por përkundrazi, sheh sesi shkresa implikon keqasi përgjegjësi të Tahirit dhe Ramës. Nga e gjithë kjo situatë, kërkesa konstante e opozitës për Metën dhe funksionalizimi i të gjithë elementëve që po dalin përditë, në kontekstin e çështjes “Doshi”, dëshmon se ajo ndjek një axhendë politike dhe shumë pak udhëhiqet nga nevoja për të nxjerrë të vërtetën. Kjo axhendë synon padyshim çarjen e koalicionit, apo zhvlerësimin e tij përmes uljes së peshës, apo diskreditimit të njërit prej përbërësve të tij. E keqja është se lakrat kanë dalë pazarit dhe shumëkush mund të shohë se në këtë sallatë asnjë nuk është më i mirë se tjetri, ndaj edhe protestat sado legjitime, nuk ofrojnë perspektivë. Sikundër qëndrimi i kryeministrit, ky këshilltar i vetëofruar i medias, që ka zgjedhur të mos reagojë edhe sepse kësaj radhe nuk mund të justifikohet me termin e preferuar të makinerisë së baltës, e cila i ka bërë pis të gjithë.
s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.