Shënim: Povera Italia! Prej 22 vitesh nuk dëgjohet tjetër, veçse “Berlusconi, Berlusconi, Berlusconi”

Postuar në 11 Korrik, 2013 05:06

I famshmi ‘Il Cavaliere’ ka qenë gjithë kohën, prej 22 vitesh, nën presionin e hetimeve dhe gjyqeve të pafundme lidhur me çështje nga më të ndryshmet, dhe në të gjitha rastet ai vetë ka ngritur zërin për një përndjekje që atij i bëhet nga sistemi gjyqësor i mbushur me “komunistë”. Nga ana tjetër, janë miliona italianët që e votojnë në vijimësi, dhe Berlusconi e të vetët e kanë parë këtë mbështetje elektorale edhe si parzmore, edhe si presion mbi klasën politike italiane e mbi stabilitetin e Italisë. Ja, si këtë herë, teksa janë duke thënë: “Doni ta dënoni Berlusconin? Ne hedhim në erë qeverinë ‘Letta’.”

Çfarë po ndodh, në të vërtetë? Gjykata e Lartë (e Kasacionit, i thonë atje) ka vendosur që të mblidhet në 30 korrik, dhe të vendosë për të pandehurin Berlusconi lidhur me një mashtrim fiskal që ai supozohet se ka bërë nga pozitat e pronarit të Mediaset-it. Dhe ka gjasa që ai të dënohet 4-5 vjet. Në këtë rast, do t’i viheshin prangat në sallën e gjyqit. Dënimi alternativ mund të jetë dhe heqja e së drejtës për të kryer funksione shtetërore për një periudhë të caktuar kohe, gjë që Berlusconi do ta uronte. Por këtë garanci nuk ia jep askush.

Ky është momenti më i vështirë i Silvios. Është aq i vështirë, sa disa thonë se po shqyrton dhe idenë e ikjes nga Italia, në stilin e Craxi-t para dy dekadave. Craxi s’u kthye më, derisa vdiq në Tunizi. Kjo do të ishte një zgjedhje e vështirë për Berlusconin. Ndërkohë, të vetët janë duke shqyrtuar vendimin për ta braktisur qeverinë, duke e lidhur vendimin e Gjykatës së Kasacionit me fatin e qeverisë. Në këtë grackë kanë rënë dhe shumë njerëz të së majtës, të cilët, ngaqë duan të mos rrëzohet qeveria, po kritikojnë vendimin e mundshëm të Gjykatës së Lartë.

Povera Italia!

 

M.Nano

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.