Shënim: Përdhunimi fshatçe i Nartës, fiksim kolektiv apo paaftësi policore?

Kur plasi për herë të parë si lajm, para pak ditësh, shkaktoi habi jo të vogël. Ndoshta edhe pak mosbesim. Banorët e fshatit Nartë në Vlorë, të njohur si greqishtfolës, protestuan “fshatçe” kundër një serie përdhunimesh të grave të moshuara, që jetojnë vetëm sepse i kanë familjarët në emigracion. Thuhet “seri”, sepse sipas kryeplakut, kjo hata ka bërë vaki rregullisht, prej më shumë dhjetë vitesh. Të dhunuarat, ca nga frika e më shumë nga turpi, shpesh nuk kanë bërë zë, por denoncimet nuk kanë munguar në polici, ndërsa akoma më shumë raste i ka mbledhur kryeplaku prej nëntë vjetësh i Nartës, Nasho Zoica (sipas tij, janë shumë më tepër se dhjetë). Nuk kanë munguar dyshimet se autorë ishin banorë të fshatit, qofshin autoktonë apo të ardhur. Ndaj javën e kaluar gjithë fshati kërkoi të bëheshin testet e ADN-së. Rindërtimi i mësipërm bëhet pas një interviste të kryeplakut për “Panoramën”, ku Zoica theksoi se përdhunuesit(t) nuk marrin para, as vjedhin plaçkë. Interesante është pika ku banorët edhe pse shprehen me gjysmë zëri për ndihmën që u ka dhënë policia e Vlorës, pohojnë se blutë nuk kanë zbuluar dot asgjë, edhe pse është fjala për një dekadë rresht rastesh të përsëritura. Vetë policia e Vlorës deklaron se ka ndërmarrë hetime, ka kryer dhe arrestime; por lë të kuptohet se fshatarët e ekzagjerojnë. Për ta mbyllur këtë shënim: Njihet edhe raste kur njerëzit luajnë mendsh fshatçe; por njihen shumë më tepër raste të paaftësisë me apo pa dashje, të policisë.
A.K
Add new comment