Shënim: Kur Kryetari i Bashkisë t’i hipë një javë (vërtet) biçikletës

I buzëqeshur edhe më shumë se zakonisht, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ka dalë sot para kamerave për të folur për ditën pa makina. Ndër të tjera, ai ka folur dhe për korsitë e dedikuara të biçikletave. Madje, ka bërë dhe një si biçim xhiroje demonstrative pa u larguar më shumë se disa qindra metra larg Bashkisë.
Është e vërtetë që në disa nga rrugët e ndërtuara nga Bashkia (që në kohë të ish-Kryebashkiakut Rama) herë pas here, shfaqet një korsi për biçikleta. Kjo korsi as nuk përdoret as nuk ka për t’u përdorur ndonjëherë. Në atë korsi, kalojnë makinat, madje, ato që e shfrytëzojnë për të parakaluar me tërsëllëmë nga brenda. Në atë korsi parkojnë makinat aq rehat, sa nuk gjen as vend për parkim, parkojnë mes ditës e gjatë natës. Në atë korsi ka tavolina, arka, çadra e lloj-lloj objektesh të tjera tregëtare. Ato korsi, jo rrallë, përfundojnë mu në mes të një rruge të rrezikshme, pa vazhdim. Ato korsi, janë vetëm në qendër.
Korsia e biçikletave është një hap para drejt rikthimit të balancës makinë-njeri, në favor të njeriut. Por, jo në qytetin e Tiranës të Kryebashkiakut Basha. Do të ishte mirë që të provonte jo 1 orë para kamerave, por 1 javë, pa badigardë e pa kamera... të ecte me biçikletë vetë në rrugët e Tiranës (kur nuk janë të bllokuara nga policia për të aplikuar forcërisht ditën pa makina). Atëherë do të kuptonte se njeriun me biçikletë nuk e llogarit askush, dhe nëse do t’a dalë të shpëtojë pa u shtypur ose nëse do mundet të arrijë në ndonjë destinacion përmes këtyre korsive, ky do të ishte një hap i madh për të dhe për të gjithë njerëzimin.
K. Cukali
Add new comment