Shënim: Akuzat financiare të PD-së, përballë dy pyetjeve. A di gjë opozita për bixhozin ilegal dhe mashtrimin me tvsh-në?

Në këto ditë që gëlojnë edhe nga lajmet ekonomike (shumica dekurajuese), opozita e djathtë nuk ngurron të akuzojë qeverinë se e ka shkrirë sektorin e hetimit të krimit ekonomik, pasi ky i fundit paskësh hetuar të pabërat e eksponentëve të majtë. Pyetja e parë që u shkon në mendje njerëzve, është bërë ndërkaq: Çka bërë qeveria e djeshme me këto hetime? Çfarë ka zbuluar? Opozita e sotme, merakun më të madh ka hetimin e kritereve të emërimit të kreut të ri të policisë. Por do ishte me interes për qytetarët të dinin se si ka lejuar kjo mazhorancë e djeshme lulëzimin e bixhozit të paligjshëm në çdo cep të territorit; dhe teksa e djathta akuzon të majtën se po nxin realitetin ekonomik të lulëzuar për të justifikuar mosmbajtjen e premtimeve, do ishte e udhës të jepte edhe një përgjigje konkrete për mashtrimin gjigand me skemën e rimbursimit të TVSH-së për 600 milion lekë, që ka detajuar sot Vizion Plus. Vetëm 3 muajt e verës buxheti i shtetit ka paguar shtesë këto 600 milionë lekë për kompani fantazmë të cilat kanë mashtruar doganat dhe tatimet. Në kohën kur bizneset kanë më shumë se katër vjet që nuk marrin rimbursim të TVSH-së, firmat fiktive kanë arritur ta vjelin këtë taksë dy herë: njëherë nga tatimet dhe njëherë nga doganat. Skema që ka përdorur ky grup quhet “Carosel”, rast i krimit ekonomik që është njohur në Europë gjatë viteve 2005 – 2006. Një vjedhje e pastër përmes faturave false, që duhet zbardhur deri tek emrat konkretë.
a.k
Add new comment