Serbët e veriut të Kosovës “mbajnë peng” zgjedhjet e reja

Kosova drejt zgjedhjeve të reja. Mosfunksionimi i rreth tridhjetë agjencive, ndërmarrjeve dhe institucioneve tjera publike e shtetërore për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, mund ta çojë vendin në zgjedhje të shpejta. Gazeta “Tribuna” shkruan se në fakt është arsyetimi ligjor që presidentja e vendit Atifete Jahjaga do ta përdorë në rast të një veprimi të tillë, e që nuk pritet të jetë i largët. Sipas burimeve të gazetës “Tribuna”, pengesa e vetme drejt zgjedhjeve të reja është vullneti i qytetarëve serb në veri të Kosovës. Atje po bëhen hulumtime nëse do të mund të mbaheshin sërish zgjedhje të suksesshme dhe nëse rezultati del të jetë pozitiv atëherë zgjedhjet e shpejta bëhen të pashmangshme. Ndërkohë “Tribuna” bën të ditur se Jahjaga ka nisur një seri konsultimesh me liderët e partive politike për tejkalimin e ngërçit politik, por koalicioni paszgjedhor LDK-VV-AAK dhe Nisma në njërën anë dhe PDK në anën tjetër nuk po arrijnë që t`i krijojnë institucionet.
L.V
Add new comment