Schulz: BE-ja, mjaft me politikat e bllokimit të imigracionit. Të legalizojmë sistemin!

Presidenti i Parlamentit Evropian, socialdemokrati Martin Schulz (SPD) ka bërë thirrje për një ndryshim të kursit në politikën e imigracionit evropian, njofton Dojçe Vele. "Evropa duhet ta pranojë më në fund se është një kontinent emigracioni dhe për këtë arsye ne kemi nevojë për një reformë urgjente të ligjeve tona të imigracionit", tha Schulz në emisonin e kanalit të parë televiziv gjerman ARD "Raport nga Berlini" dhe për revistën "Spiegel Online". Evropa ka nevojë për "një sistem legal të imigracionit", siç i kanë pasur të gjitha rajonet e mëdha të emigracionit të botës, si SHBA-të, Australia apo Kanadaja. Schulz bëri thirrje për vendosjen e një çelësi të shpërndarjes, i cili do të rregullonte pranimin e emigrantëve në shtetet anëtare të BE-së. "Nëse në një ishull si Lampedusa i cili ka vetëm 6.000 banorë vendosen 10.000 refugjatë atëherë kjo është katastrofë për këtë ishull. Por nëse këta 10.000 njerëz shpërndahen në 28 shtetet anëtare me 507 milionë banorë atëherë kjo është e mundur", tha Schulz. "As Italia e as Malta, nuk mund të lihen vetëm, kjo duhet të jetë një detyrë evropiane".
Schulz ndërkohë është një figurë solide politike në arenën europiane, dhe një kandidat i përfolur si pasardhës i kreut të ekzekutivit të BE-së, Barroso.
a.k
Add new comment