Salman Rushdie nuk do ta dëgjojë më fjalën "fatva"

Në vitin 1989 Ayatollah Khomeini shqiptoi kundër tij në Iran një fatva, e cila e dënoi atë me vdekje dhe me një jetë në arrati, duke e detyruar të ndryshojë vazhdimisht strehimin, nën mbrojtjen e policisë dhe me një identitet të ri. Pseudonimi i tij për më shumë se dhjetë vjetë në ilegalitet, "Joseph Anton", është edhe titulli i autobiografisë së tij, të botuar në vitin 2012, e cila trajton atë kohë. Por në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Berlin muajin e kaluar gazetarë, fotografë dhe kameramanë vunë re se kontrollet e sigurisë para konferencës së shtypit të Rushdie ndryshe nga më parë ishin minimale. Kontrolle çantash? Policë? Asnjë.
"A është vend i sigurtë ky këtu?" - pyesnin gazetaret dhe pëshpëritnin: "A është ende fatva, ne fuqi?” Autori 66-vjeçar reagon dukshëm i irrituar: "Nëse ju mendoni se keni nevojë për siguri, atëherë ju duhet të merrni masa." Ai thotë se ndjehet për mrekulli. Dhe shton "më duket me të vërtetë dëshpëruese, që dy pyetjet e para, që ju më bëni, janë siguria dhe terrorizmi." Rreth fatva-së, që u shqiptua mbi 20 vjet më parë e që megjithë kundër-fatva-të e dijetarëve tjerë islamikë është ende në fuqi, ai nuk do të flasë dhe këtë e bën mjaft të qartë. "Do të ishte mirë, po të më bënit tani disa pyetje letrare." Fjalën "fatva" ai nuk e përdor. D.W.
Add new comment