Süddeutsche Zeitung: Shqipëria, në krye të Europës për prishjen e ekuilibrit gjinor me aborte

Postuar në 03 Janar, 2013 06:38

Një artikull botuar sot në të përditshmen gjermane "Süddeutsche Zeitung" thotë se Shqipëria është në krye të vendeve në Europë për prishjen e ekuilibrit të gjinive me aborte që shmangin seksin femër dhe citon një demograf francez të thotë që situata në këtë fuhë është dramatike dhe se BE duhet të marrë në dorë problemet e abortit në Ballkan.

Shkruan artikulli: Kur statisticienët e Kombeve të Bashkuara kontrolluan gjatë punës së tyre rutinë nivelin e lindjeve në botë, konstatuan disa gjëra të çuditshme. Në disa vende të Ballkanit dhe të Kaukazit lindin më shumë djem se sa vajza. Shifrat janë të ngjashme me ato të Indisë dhe të Kinës, ku ekuilibri midis gjinive ka kohë që është prishur, sepse embrionet femërore abortohen në mënyrë të qëllimshme. Etërit në këto vende duan patjetër trashëgimtarë meshkuj dhe bëjnë gjithçka që të mos rrisin vajza. Në Armeni dhe Azerbaxhian lindin për 100 vajza- 115 djem, në Shqipëri statistikat e publikuara flasin për 100 vajza-112 djem (shifër e ngjashme me Indinë).

Raporti gjinor normal në lindje është 100 me 105. Artikulli thotë se me raportin 100 vajza-112 djem, Shqipëria ndodhet në krye në Evropë e ndjekur nga Kosova dhe Mali i Zi me 110 dhe 109 djem për 100 vajza. Në Maqedoni raporti i lindjeve është 100 vajza-106 djem, por në disa komuna ky raport është ndryshe dhe ato janë vende me popullsi shqiptare.

Artikulli citon një demograf francez, Christophe Guilmoto: "Dëshira e prindërve, që të kenë patjetër pasardhës meshkuj, është e madhe në rrethet kulturore shqiptare. Kjo dëshirë nuk është e përhapur vetëm tek myslimanët, por edhe tek ortodoksët dhe katolikët e vendit. Është e dhimbshme, por dihet, se aborti i të palindurve femra është një fenomen kulturor, që i ka rrënjët në botëkuptimin arkaik të familjes. Djemtë e ruajnë emrin, vajzat e lenë atë kur martohen dhe largohen nga familja e tyre. Tradicionalisht janë djemtë që kujdesen për prindërit. Është paradoks, por përparimet mjekësore kanë bërë që prindërit të përmbushin dëshirat tradicionale për djem dhe vajzat të diskriminohen. Zhvillimet në Ballkan janë alarmante. Pasojat e mungesës së ekuilibrit gjinor janë dramatike: Burrat nuk gjejnë më gra, dhuna, prostitucioni dhe tregtia e mishit të bardhë rriten. Bashkimi Evropian duhet të marrë në dorë problemet e abortit në Ballkan". (A.N.)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.