Sërish John Cantlie: “Ky është problemi më i madh që nga Vietnami. Janë më shumë se 50 mijë muxhahedinë”. Preket edhe përfshirja e Iranit

John Cantlie, gazetari britanik që mbahet peng nga ISIS, është shfaqur sot në një video të re, ose Episodi 1 i asaj që konsiderohet një seri programesh të organziatës e që do të prezantohen prej tij. Cantlie bën një hyrje që kërkon të përcjellë një mesazh në Britani: “Unë jam John Cantlie, qytetari britanik i braktisur nga qeveria e tij”, thotë ai për të vijuar me një analizë të situatës politike, por përmes perspektivës së ISIS. Theksi vihet te dilemat e SHBA-së dhe presidentit Obama në ndërhyrjen ndaj ISIS dhe për këtë citohen ish-zyrtarë amerikanë të CIA-s, që janë kundër një angazhimi të ri në Lindjen e Mesme. Por Cantlie, që flet kësaj radhe si zëdhënës i ISIS, përcjell edhe faktin se “shërbimet perëndimore dështuan që t’i paraprinin kalimit të organizatës në Irak dhe shpalljes së kalifatit”. Dhe në krahasim me luftën e fundit të Irakut, perspektiva zgjerohet deri në një sintetizim të gjeopolitikës së rajonit dhe ndërhyrjes amerikane. “Ka një president të zgjedhur në Iran që është kukull i Amerikës”, shton Cantlie dhe padyshim që kjo lojë me Iranin kërkon të shtyjë më shumë mobilizimin e sunitëve, kundrejt një përfshirjeje të supozuar të shitëve në konflikt. Në finale, ajo që pritet, është stabilizimi i qeverive kukull, grupe këshilltarësh në terren, me një fjalë asgjësim i sovranitetit efektiv dhe të vërtetë të Irakut, të cilin pretendon ta mishërojë realisht vetëm ISIS. Ka edhe një aspekt moral në këtë çështje: kryqëzimi si aleatë i SHBA-së dhe Perëndimit me Iranin dhe deri edhe Bashar Al Assadin, i konsideruar përgjegjës për krime lufte. ISIS pretendon se që nga Vietnami nuk ka patur probleme të tilla kaq serioze për SHBA-në dhe se numri prej 50 mijë, i trupave të parashikuara për të luftuar organizatën, konsiderohet i vogël, meqenëse siç u shpreh Cantlie, muxhahedinët janë më të shumtë. Ndërkohë në media sot qarkullonin lajme për thirrjet e ISIS për aleatë për të vepruar në Egjipt, pasi zgjerimi i vatrës së krizës, është i vetmi avantazh taktik që mbetet në kushtet e një sulmi në Irak.
http://www.youtube.com/watch?v=pbese3nGE0Q&feature=youtu.be
s.z
Add new comment