Sërish hetim për “21 Janarin”, por këtë herë hetohet organizimi i policisë

Protesta e “21 Janarit” dhe vrasjet që e pësuan atë janë sërish në fokus të hetimeve, këtë radhë për të verifikuar veprimet e forcave të policisë në raport me ligjin, gjatë zhvillimit të saj. Pikërisht sot janë pyetur strukturat e policisë së Tiranës, që u angazhuan për të mbrojtur ligjin, ditën e protestës.
Është Drejtoria e Standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e cila, që prej dy muajsh, e ka nisur hetimin administrativ ndaj forcave policore që menaxhuan protestën, hetim që synon verifikimin e veprimeve të policisë, zbatimin e rregullave prej saj ditën e protestës, raporton “Shqiptarja.com”.
Pjesa dërrmuese e 36 ish-efektivëve operacionalë kanë dëshmuar në kohë të ndryshme që prej fillimit të muajt mars, ndërsa procesi i marrjes në pyetje vijon, raporton “Balkaweb”.
Efektivët kanë dhënë shpjegime të detajuara për lëvizjet e tyre që nga ora 12 :00 deri në orën 17 e 30 të datës 21 janar. Sipas planit të masave, njësia operacionale kishte si detyrë vëzhgimin e elementëve kriminal brenda turmës, si dhe filmimin në funksion të dokumentimit të veprimtarisë policore dhe mbarëvajtjes së protestës.
Qëllimi i hetimit është nxjerrja e mangësive, çfarë ishte e planifikuar dhe çfarë nuk ishte më 21 janar. Në hetim janë përfshirë jo vetë, policët e komisariateve të Tiranës, por edhe ata që kanë ardhur nga rrethet si dhe një njësitë speciale.
Në përfundim të hetimit nga Drejtoria e Standardeve do të përpilohet një raport me të gjitha shkeljet e mangësitë që çuan në acarimin e situatës në 21 janar dhe natyrisht, në vrasjet e katër protestuesve të pafajshëm. Në raport do të evidentohen shkeljet për çdo punonjës dhe përgjegjësia do të jetë personale; kundrejt shkeljeve, do të merren masa deri në përjashtimin nga radhët e policisë.
Add new comment