Rusët rikthejnë “patrullat vullnetare” të kohës sovjetike

Patrullat vullnetare, të cilat datojnë qysh në kohërat sovjetike, kanë parë një ringjallje në muajt e fundit në kryeqytetin rus. Aktivistë të Kishës kanë formuar grupe vullnetare për të mbrojtur kishat dhe varrezat, pas ngjarjes me grupin feminist “Pussy Riot”, vitin e kaluar. Por disa patrulla vullnetare që janë lajmëruar se do krijohen për “gjurmimin e imigrantëve të paligjshëm” duken vërtet alarmuese. Administrata e Moskës ka bërë me dije se këto patrulla “do t’iu ndihmojë autoriteteve në kapjen e imigrantëve, të cilët punojnë pa dokumentacionin e duhur”.
Aleksei Mayorov, kreu i Departamentit të Sigurisë në Moskë thotë se vullnetarët do të veshin uniforma speciale dhe do të patrullojnë në çdo lagje, në baza ditore. Ata do të kërkojnë për imigrantë të paligjshëm në tregje, lokacione të ndërtimtarisë dhe industrisë, stacione trenash, qendra tregtare e madje edhe në banesa private. Ajo çfarë është alarmuese për aktivistët e të drejtave të njeriut është se skuadra do të autorizohet për kapjen e të dyshuarve dhe shoqërimin e tyre në stacione të policisë.
Svetlana Gannushkina një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut në Rusi, njëherësh specialiste për të drejtat e imigrantëve thotë për radion Europa e Lirë: “Jam e tmerruar.. Ndjekjet do të bëhen jo nga organet për zbatim të ligjit, por nga qytetarë të zakonshëm. Unë vetëm mund të imagjinoj se çfarë lloj entuziastësh do të marrin pjesë... Kush ka të drejtë të ndalojë njerëz? Ju duhet të keni arsye shumë serioze për të kapur njerëz. Madje, as zyrtarët policorë nuk kanë gjithmonë të drejtë për të bërë një gjë të tillë. Tani, kjo e drejtë u dhurohet njerëzve të rastit e ndoshta edhe agresivë. Askush nuk ka të drejtë t’i privojë njerëzit nga liria e tyre, t’i rrëmbejë në rrugë dhe t’i dërgojë diku. Në çfarë po shndërrohemi? Kjo është thjesht monstruoze”. (a.n.)
Add new comment