Rreth 1/5 e ambasadorëve që përfaqësojnë Shqipërinë janë në proces zëvendësimi

Postuar në 18 Dhjetor, 2012 16:39

Në 3 javët e fundit Komisioni i Jashtëm parlamentar ka shqyrtuar disa prej kandidaturave për diplomatë. Opozita, më shumë se kontestime për emrat e propozuar, shprehet se po shkelet ligji që normëzon raportet mes diplomatëve të karrierës dhe kandidatëve të ardhur nga politika, raporton Vizion Plus.

Shumë ambasadorë kanë qëndruar përtej mandatit për shkak të përplasjeve mes kryeministrit Berisha dhe ish-presidentit Topi. Por duke u përpjekur të mbushin këtë vakum, thotë socialistja Arta Dade, mazhoranca aktuale po e shton problematikën në fushën e diplomacisë. Nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm, më herët edhe ish-ministre e Jashtme, është kritike edhe për periudhën e zgjedhur për të emëruar ambasadorë të rinj, pasi vendi ndodhet vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme.

Sipas televizionit në fjalë, rreth 1/5 e ambasadorëve që përfaqësojnë Shqipërinë janë në proces zëvendësimi. Mes 10 lëvizjeve të fundit në fushën e diplomacisë bien në sy emërimi i kreut të Aleancës Demokratike, Neritan Ceka në Itali, ish-shefi i kabinetit të Lulzim Bashës emërohet ambasador në Turqi, ish zv/ministrja e Punës, e ardhur nga LSI-ja, Filloreta Kodra përfaqëson Shqipërinë në OKB në Gjeneve, ndërsa zv/ministrja e Integrimit, Grida Duma, pritet të emërohet ambasadore në Slloveni.

Mal Berisha, që u refuzua nga ish-presidenti Topi për ambasador në Londër, tashmë ka marrë firmën e presidentit Nishani për këtë post. Artur Kuko, pritet t’ia lërë vendin Agim Fagut në zyrën e Shqipërisë në NATO në Bruksel. Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.