Rrëfimi i kosovarit: Si u pajisa me pasaportë biometrike për 2 mijë euro

Dy mijë euro dhe një identitet i rremë janë të mjaftueshme për të marrë një pasaportë biometrike në Shqipëri. Mjafton të jesh shqiptar i Kosovës dhe me njohjet e duhura, e brenda dy javësh pajisesh me këtë dokument për të lëvizur më pas lirisht në vendet e BE-së. Kjo gjë është bërë tashmë rutinë, aq sa mund të flitet për një fenomen masiv. Skema e përdorur është mjaft e thjeshtë dhe lehtësisht e realizueshme, nëse i paguan dy mijë euro personit të duhur. Kjo skemë është rrëfyer nga një kosovar pas arrestimit të tij, në tentativë për t’u larguar drejt Zvicrës nëpërmjet portit të Durrësit. Edhe pse ngjarja është regjistruar në fund të vitit të shkuar, hetimet për të nuk kanë përfunduar, duke përfshirë edhe punonjës të kompanisë “Aleat”. Pas arrestimit, 40-vjeçari nga Podujeva ka treguar për policinë skemën se si ka arritur të përfitojë pasaportën biometrike të rregullt, si banor i Kamzës. Në dosjen e hetuar nga Prokuroria e Durrësit gjendet edhe dëshmia e 40-vjeçarit nga Podujeva, i cili ka shpjeguar se në tentativë për t’u larguar drejt Zvicrës për një problem shëndetësor, ai është përpjekur të sigurojë një vizë, por nuk ia ka arritur qëllimit. Kështu ai ka kontaktuar me një të njohurin e tij kosovar, i cili i ka dhënë numrin e një shtetasi shqiptar që mund t’i zgjidhte problemin. Në dëshminë e tij, kosovari tregon se e ka kontaktuar në telefon e më pas janë takuar në Tiranë, ku personi nga kryeqyteti i ka kërkuar 40-vjeçarit shumën prej 2 mijë euro dhe dy fotografi të tijat. Pas një jave, ata janë ritakuar dhe këtë radhë “sekseri” i ka dorëzuar shtetasit kosovar një certifikatë të falsifikuar me fotografinë e tij dhe emrin e një personi tjetër, i cili nuk kishte aplikuar për pasaportë biometrike. Të dy personat kanë shkuar së bashku në Kamëz, ku kosovari ka aplikuar për pasaportë biometrike me certifikatën e falsifikuar. Ai shpjegon se ka ndjekur normalisht procedurat, ku punonjësit e kompanisë i kanë marrë gjurmët e gishtave, si dhe i kanë bërë fotografitë e nevojshme. Aplikimi është bërë me gjeneralitetet e një tjetër personi, i cili ishte verifikuar më parë nga personat e përfshirë në këtë aferë, se nuk kishte aplikuar për pasaportë biometrike. Në dëshminë e tij 40-vjeçari nga Kosova tregon se procedura është kryer normalisht dhe pas dy javësh ai është paraqitur në Drejtorinë e Policisë Tiranë për të tërhequr pasaportën biometrike. Pasi ka marrë dokumentin e identifikimit, i cili ka qenë i rregullt, ai i ka dhënë shumën prej 2 mijë eurove shqiptarit që organizoi gjithë skemën e mashtrimit dhe vjedhjen e identitetit të një tjetër personi, i cili nuk ishte pajisur me pasaportë biometrike. Me këtë pasaportë, shtetasi kosovar tregon se është nisur drejt Zvicrës nëpërmjet portit të Durrësit, ku është ndaluar nga policia, pasi është zbuluar se identiteti që mbante pasaporta ishte i vjedhur.
Mapo
Add new comment