Romney po komprometon fushatën me çështjen e taksave; debati s'ka të ndalur

Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Mitt Romney, kandidati republikan për postin e Presidentit, edhe pse po i kërkohet të deklarojë vërtetime e fatura të taksave të paguara gjatë dhjetë viteve të fundit, edhe pse kjo çështje është shndërruar në një leitmotiv i garës presidenciale dhe ka provokuar një debat të fortë nacional, nuk po e bën këtë. Nuk ka ligj që e detyron ta bëjë, por shumëkush po kapet pas precedentit. Zakonisht, kush kërkon të bëhet President, e bën këtë akt transparence.
Zjarrit të debatit i hodhi vajguri kreu i Senatit amerikan, Harry Reid, kur tha se “një burim tepër-tepër i besueshëm nga brenda kompanisë së Mitt Romney-t ‘Bain Capital’ i kish thënë në mirëbesim se ky i fundit nuk ka paguar taksa gjatë një dhjetëvjeçari”. I është përgjigjur menjëherë Reince Priebus, kreu i Komitetit Nacional republikan (është post partiak ekuivalent me kreun e partisë në periudha fushatash). Dhe i është përgjigjur vënçe, në një stil të vrazhdë. “Harry Reid është një rrenacak i ndyrë”, tha ai në programin ‘This Week’ të televizionit ABC, të moderuar nga greko-amerikani i famshëm George Stefanopulos. “Ti me siguri synon t’më bësh të nxjerr nga goja gjëra lidhur me këtë argument, por unë as që kam ndërmend t’i jap përgjigje atij rrenacaku të ndyrë”, tha saktësisht ai. Ndërhyrja e gazetarit ishte ajo e duhura: “Ju sapo e nxorët një gjë nga goja. Ju e quajtët atë rrenacak i ndyrë. Ju vërtet mendoni që Harry Reid është një rrenacak i ndyrë?” “Unë sapo e thashë atë”, ishte batuta e radhës.
E.G.
Add new comment