Romney bëhet ‘Birther’, dhe Obama thotë: SHBA-të nuk kanë nevojë për një Birther-in-Chief

Ka një teori konspiracioni, që thotë se Barack Obama, Presidenti i SHBA-ve, nuk ka lindur në SHBA, por në Kenia, dhe rrjedhimisht, certifikata e tij e lindjes në Hawai është e falsifikuar (‘Birthers’ quhen ata që i besojnë kësaj teorie). Kish kohë që askush nuk merrej me këtë tezë; të paktën, qysh nga momenti që Obama vetë publikoi certifikatën origjinale të lindjes.
Mirëpo, ka qenë rivali i tij republikan në zgjedhjet e nëntorit, Mitt Romney, që i është rikthyer asaj loje. Në një takim që pati para dy ditëhs në Michigan, ai u shpreh para mbështetësve të vet, se “askujt s’i ka shkuar në mendje të më kërkojë certifikatën e lindjes; kuptohet pse: të gjithë e dinë se ku kam lindur e ku jam rritur”. Ai u pendua për këtë batutë (“do bëjmë pak shaká në fushatë, apo jo?”, tha dje), por zemërimi i palës tjetër nuk ka të ndaluar. Një reagim i tyre u publikua sot në YouTube. Ishte 15 sekonda, dhe në të u tërhiqej vëmendja amerikanëve që presin zgjidhje për problemet reale të tyre, se kandidati presidencial merret me batuta të tilla të pashijshme. Dhe spoti mbyllej me fjalët “Amerika nuk ka nevojë për një Birther-in-Chief”, duke transformuar në mënyrë ironike emërtimin e njohur, me të cilin thirret shpesh Presidenti i SHBA-ve, për të nxjerrë në pah aftësitë e tij udhëheqëse në rrethana lufte: Commander-in-Chief.
E.G.
Add new comment