Robert Rogner: Çmenduria e investimit tim shqiptar 20 vjet më parë. Por më doli mirë

Një artikull i gazetës austriake WirtschaftBlatt ka patur për personazh sipërmarrësin austriak Robert Rogner. Me këtë mbiemër, kuptohet që fjala është për pronarin e hotelit në qendër të Tiranës, I cili rrëfen gati dy dekada më pas periperictë dhe “aventurën” e investimit në vendin më të varfër të lindjes komuniste. “Aty ku është hoteli tani, 20 vjet më parë kullosnin delet,” thotë Rogner. Edhe pse ngjalli çudi vendimi i sipërmarrësit për të investuar në Shqipëri, “ai ishte investimi më i mirë që kemi bërë ndonjëherë,” thotë sot themeluesi i kompanisë.
Pas vdekjes së diktatorit komunist, Enver Hoxha, që e kishte izoluar vendin për dekada të tëra, vendi duhej të ngrihej në këmbë. “Qeveria më pyeti nëse unë do guxoja të ndërtoja një hotel, për shkak se nuk kishte një hotel të vërtetë perëndimor. Ata nuk mund të ftonin mysafirët e huaj. Në rrugë kishte vetëm tre makina kineze, gomerë dhe biçikleta,” tregon Rogner për fillimet. Ai mund të zgjidhte vetë vendin për hotelin dhe ai zgjodhi një livadh pranë Pallatit Presidencial. Hoteli u hap në vitin 1995. Ai u financua pjesërisht nga Banka për Europën Lindore, BERZH, e cila ishte krijuar në këtë kohë. “Nëse do u jap një kredi për Shqipërinë, më parë duhet t’ju shpall të paaftë mendërisht,” i kishte thënë një bankë në Austri investitorit, kur kishte kërkuar kredi. Kostoja ishte rreth 20 milionë dollarë.
Ndërkohë kredia e BERZH është shlyer. Rogner ka një xhiro vjetore prej 30 milionë euro, një e treta e tyre në Shqipëri. Edhe për bregdetin shqiptar, Robert Rogner e ka një projekt për një hotel, por pa një aeroport në jug, ai thotë se projekti nuk mund të zbatohet.
a.k
Add new comment