Rikthehet Berluskoni dhe Italia e rifillon nga e para

Komentatorët politikë italianë dhe të huaj mendojnë se dorëheqja e Berluskonit një vit më parë u vendos nga tregjet ndërkombëtare dhe nga izolimi diplomatik. Edhe pse shumica parlamentare e djathtë ishte solide dhe e gjerë, Berluskoni u detyrua të largohej nga qeverisja e vendit sepse Italia e zhytyr në borxhe nuk kishte më mundësi për të vazhduar huazimin falë përqindjes së lartë të interesit që kreditorët i kërkonin.
Të premten pasdite, Partia e Popullit të Lirisë (Pdl) vendosi të mos mbështesë më Mario Montin për tre muajt e ardhshëm (në pranverë do përfundonte mandati i Parlamentit aktual dhe do zhvilloheshin zgjedhjet normale poitike). Berluskoni vlerësoi më të leverdisshme (për veten) ta fillonte fushatën elektorale më shpejt duke mbajtur zgjedhjet në fund të shkurtit.
Gjatë mengjesit të sotëm tregjet ndërkombëtare dhe bota financiare e dha verdiktin e vet mbi këtë aventurë të së djathtës berluskoniane. Bursa e Milanos po humbet në këto minuta më shumë se 2%, ndërkohë që përqindja e interesit për huamarrje po rritet prej 0,23%. Brenda fundvitit Italia ka në program për të marrë hua rreth 30 miliardë euro dhe falë kapriços politike të Berluskonit do i duhet të paguajë 69 milionë euro më shumë interes.
Zhvillimet institucionale në një shtet sovran nuk duhet të kushtëzohen nga presione të jashtme (siç është ai i tregjeve investuese), por nëse ky shtet zhytet deri në fyt në borxhe, atëhere ka si pasojë humbjen e pjesshme të sovranitetit. Me shumë gjasa Berluskoni po sillet si një struc duke mos u ballafaquar me këtë fakt dhe duke vënë në rrezik të tashmen e Italisë për hir të së ardhmes politike të vet. (E.X)
Add new comment