Riafrimi mes Ramës e Metës e ka bërë nervoz kryeministrin

Berisha vijon të flasë në zyrën e kryeministrit (në mbledhjen e qeverisë) si kryetar i PD-së. Dhe sot, i ngacmuar dhe nervoz prej riafrimit Rama-Meta, ka thënë një numër gjërash, mes të cilave mund të veçohen dy, një gënjeshtër dhe një nënvizim krejt i kotë dhe i tepërt.
Gënjeshtra ka të bëjë me takimin mes tij e Metës: “Ndonëse ka një marrëveshje, e cila autorizon zgjedhjen e presidentit si konsensus mes PD e LSI, këto dy forca ranë dakord të punojnë me përkushtim që presidenti të zgjidhet me 3/5 e votave, ose edhe më shumë”. Dihet tanimë që kjo është një kërkesë këmbëngulëse e Metës, e prapësuar nga Berisha me idenë se “nuk takohet me Ramën, pasi me të e ka personale (kështu raportonte shqiptarja.com).
Nënvizimi pa kuptim është ai që ka të bëjë me ‘vendosmërinë e përsëritur’ të Berishës për të respektuar kushtetutën, a thua se të gjithë shqiptarët po i kërkojnë ta shkelë e ta dhunojë atë: “Ne jemi të bindur që procesi më dinjitoz, procesi më serioz, procesi më transparent, është ai proces që respekton plotësisht librin themelor të shtetit, ligjin mbi të cilin ndërtohen të gjitha institucionet e vendit, Kushtetutën e Shqipërisë. Qëndrimi ynë është dhe do mbetet kryekëput kushtetues. Asgjë nuk mund të na spostojë nga respekti i plotë dhe total i ligjit themelor të shtetit; në takimet me aleatët spikati në mënyrën më të kristaltë vendosmëria e koalicionit qeveritar për të respektuar Kushtetutën e vendit.”
M.N.
Add new comment