Rezultatet 'shqiptare' të një sondazhi turk në Ballkan

Qendra e Studimeve Strategjike BİLGESAM në Stamboll ka ndërmarrë një sondazh një 10 vende të Ballkanit për të vlerësuar perceptimin e tyre mbi Turqinë. Përfundimi i parë dhe kryesorë është ai që citohet edhe nga gazeta “Today’s Zaman”, se “religjioni është faktori kyç që formëson opinionet e njerëzve për Turqinë”.
Ndonëse popullsitë e Ballkanit, kristianë apo myslimanë janë relativisht dakord dhe mirëpresin anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, ato ndahen kur vjen puna në çështje të tjera që lidhen me ndjeshmëri historike. Sa i përket shqiptarëve ka disa të dhëna interesante. Pyetjes se “cili është vendi i dytë që do të zgjidhnit të jetonit pas Shqipërisë”, një shqiptar mysliman i përgjigjet ndryshe nga një shqiptar kristian. 32% e të anketuarve që i përkasin besimit mysliman përgjigjen se do të zgjidhnin Turqinë, ndërsa kristianët preferojnë Britaninë e Madhe.
Megjithëse statistika në këtë rast nuk mund të përgjithësojë në mënyrë absolute grupet fetare ajo sërish mundëson leximin e një prirjeje apo inercie historike. “78.5 % e myslimanëve në Shqipëri kanë një përfytyrim pozitiv për Turqinë. Në krahasim me këtë Britania e Madhe me 82% dhe ShBA-të me 80.9% janë vendet e para për të cilat kristianët shqiptarë kanë më shumë preferencë”, - thuhet në vëzhgimin e kryer. (A.N.)
Add new comment