Rexhep Qosja e konsideron shkrimin e M. Krajës shprehje të ideologjsë separatiste të ASHAK. Reagon Akademia: “Shkrimi është autorial”

Postuar në 06 Janar, 2015 10:57

Shkrimi i para disa kohëve i Mehmet Krajës “Kosova dhe Shqipëria në katër pamje” vijon të provokojë reagime, duke lënë të kuptohet se në trajtimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë përvijohen dy qasje që nuk janë personale. Rexhep Qosja përgjigje sot ndaj Krajës me shkrimin “Ideologjia e prapavajtjes”, të cilin madje e ka cilësuar si një lloj shpalljeje programatike që burimisht do parë tek Akademia e Shkencave e Kosovës. Qosja i merr me radhë argumentet e Krajës, i konsideron ato si të stisura, të shpikura për të dalë në konkluzionin se “të dhënat mediale, historike, politike, gjuhësore dhe kulturore me të cilat bëhet përpjekje që të dëshmohen synimet e Shqipërisë për t’i imponuar Kosovës paternalizëm, për më tepër për t’i imponuar inferioritet, protektorat a kolonizim kulturor janë të dhëna të shpikura dhe si të tilla janë të vëna në shërbim të një ideologjie separatiste, provinciale, tribaliste brendakombëtare daullet e së cilës tani e sa kohë po jehojnë edhe në paraqitjet televizive të disa intelektualëve, disa gjuhëtarëve, disa të ashtuquajturve analistë, së fundmi edhe në paraqitje të zyrtarit të dikurshëm të Sllobodan Millosheviqit, kryeministrit të përtashëm të Kosovës; dhe, së fundi në shkrimin e taborit privatizues të ASHAK-ut”. Akademia e Kosovës ka reaguar duke theksuar se “Shkrimi i Krajës është autorial dhe anëtarët e Akademisë kanë mundur ta lexonin si të gjithë lexuesit e tjerë. Qosja, si dezinformues kujdestar dhe urrejtës patologjik i Akademisë, privilegjet e së cilës i gëzon si të gjithë anëtarët aktivë të saj, ndonëse nuk e ka shkelur pragun e saj tash e 15 vjet, mund t’i drejtohet vetëm Mehmet Krajës dhe pikëpamjeve të tij personale në shkrimin e përmendur”. Duhet thënë se shkrimi i Krajës kaloi në heshtje në Shqipëri.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.