Revista “Epikaira”: Greqia ka refuzuar dy herë kërkesën e Tiranës për t’u njohur me kordinatat e kërkimeve për naftë në detin Jon.

Çështja që vazhdon të mbajë pezull marërdhëniet mes Tiranës dhe Athinës është ajo delimitimit të kufirit detar. Me ardhjen në pushtet të koalicionit të majtë u fol për një rinegocim të marrëveshjes, por palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre duke bërë shumë pak hapa për zgjidhjen e çështjes.
Mediat greke kanë zbuluar së fundmi se qeveria shqiptare është treguar me aktive në këtë drejtim, duke i drejtuar dy kërkesa ekzekutivit grek, ku i kërkon kordinatat e sakta të kërkimeve për naftë në detin Jon dhe më konkretisht në veriperëndim të Korfuzit.
Revista “Epikaira” teksa i referohet burimeve zyrtare shkruan se qeveria greke nuk i është përgjigjur asnjë prej dy kërkesave të bëra nga Tirana zyrtare, ndërsa komenton se me vendimin për të nisur edhe Shqipëria kërkimet në këtë zonë detare, për Greqinë po krijohet një klimë negative që sipas revistës po promovohet edhe nga mediat pranë qeverisë.
Shkrimi i referohet një vendimi të fundit të qeverisë shqiptare që për herë të parë ngriti një strukturë të re, atë të gjeologjisë detare, duke cituar edhe ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri të thotë se me mbështetjen e nevojshme të kësaj strukture, me specialistët dhe mjetet e duhura Shqipëria do të fillojë studimet gjeologjike edhe në det.
Revista në fjalë komenton se taktika e kryeministrit Rama është e harmonizuar me politikën që po ndjek Ankaraja, duke iu referuar rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes së detit në vitin 2009, qëndrimit që ka mbajtur Edi Rama pas ardhjes në pushtet lidhur me këtë çështje dhe politikën që po ndjek Turqia me çështjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike në Qipro.
http://www.epikaira.gr/article/apokleistiko-i-alvania-psaxnei-petrelaio-voreia-tis-kerkyras
l.m
Add new comment