Reuters e TCH japin pamje të armëve shqiptare në Kongo. MM: S'ka asnjë lajm këtu, duan të na prishin gëzimin e 100-vjetorit

Pushtimi i qytetit Goma në lindje të Kongos nga rebelët zbuloi një aferë që përfshin edhe Shqipërinë. Rebelët e ushtrisë M23 kapën armatimet e lëna pas nga ushtria kongoleze. Në pamjet e regjistruara nga gazetarët e agjencisë “Reuters” zbulohet se ushtria kongoleze përdorte armatim shqiptar. Bëhet fjalë për predha mortajash të rënda 120 milimetra që kanë dalë nga rezervat e ushtrisë shqiptare dhe kanë përfunduar në duart e ushtrisë kongoleze.
Një ushtar i forcave rebele tregon arkat me predha mortajash mbi të cilat ka mbishkrime në gjuhën shqipe. Ato janë predha murtajash të rënda që janë prodhuar deri në vitin 1985 në Shqipëri. Këto të dhëna jepen në arkën e ambalazhit të këtij armatimi që duken qartë në kampin e ushtrisë kongoleze, e cila u tërhoq përballë sulmit të rebelëve.
Dërgimi i armëve në Kongo nga ana e Shqipërisë është lehtësisht e verifikueshme edhe në një raport të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve në Ministrinë e Mbrojtjes. Në listë saktësohet se në 26 tetor të vitit 2011 është dhënë një liçencë që ka skaduar në 25 tetorin e vitit 2012 për të dërguar në Kongo 200 copë mortaja 82-milimetërshe, 60 copë mortaja 120-milimetërshe, të cilat nuk u dërguan dhe 10 mijë copë predha mortajash 120-milimetërshe që mbërritën në Kongo nëpërmjet Malit të Zi, si vend tranzit dhe janë pikërisht predhat e filmuara nga “Reuters” në qytetin Goma, në lindje të Kongos.
Ky vend për shumë kohë ka qenë nën embargon e armëve nga ana e Kombeve të Bashkuara për shkak se një luftë e përgjakshme civile ka shkaktuar për vite të tëra plot 5 milionë viktima. Por embargon e kanë çarë armët shqiptare, të cilat janë përdorur në masë në luftën e Kongos. Predhat 120-milimetërshe tashmë janë në duart e grupeve rebele që kërkojnë të pushtojnë të gjithë vendin, i cili drejtohet nga një emër i njohur si president, Zhozef Kabila.
Informacionet e mësipërme u botuan nga agjensia Reuters dhe televizioni TCH në Tiranë. Më pas erdhi reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
“Ministria e Mbrojtjes sqaron se këtu s’ka asnjë skandal e asnjë lajm. Shitja e predhave qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është ligjore. Kjo shitje është raportuar në OKB. Përdorimi i fundit i predhave shqiptare është nga vetëranët e luftës të qeverisë së RDK, që nuk është në embargo. Gjithçka është bërë brenda akteve ligjore. Nëse rebelët kanë shtënën në dorë këto armatime, kjo nuk është përgjegjësia jonë. Këto lajme vijnë në prag të 100-vjetorit të pavarësisë dhe pasi Shqipëria mori vlerësime nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen për rolin e saj në paqen dhe sigurinë globale”. - A.N.
Add new comment