Rekomandim i Avokatit të Popullit për qeverinë: Tërhiqni urdhërat për librezat e energjisë, po shkelni ligjin e administratës dhe të drejtat e njeriut

Postuar në 18 Nëntor, 2014 10:34

Titullarët e ministrive vijojnë t’u kërkojnë punënjësve buxhetorë dorëzimin  për verifikim të librezave të energjisë, ndonëse Avokati i Popullit i ka rekomanduar qeverisë të rishikojë këtë urdhër pasi bie ndesh me ligjin për administratën publike. Në shkresën e siguruar nga ResPublica i bëhet me dije  zv.kryeministrit Niko Peleshi se urdhëri I tij është  paligjshëm.

 “një urdhër i tillë i nxjerrë nga ana juaj  për punonjësit e administratës publike bie në kundërshtim me parimet bazë mbi të cilët mbështetet veprimtaria dhe misioni i organeve të administratës publike”

Në letër rekomandimin e Avokatit të Popullit sqarohet se furnizimi me energji elektrike është një shërbim publik i siguruar nga qeveria  për qytetarët e saj, ku për përfitimin e saj secili konsumator ka edhe një kontratë administrative furnizimi në të cilën janë përcaktuara të drejtat dhe detyrimet e palëve të ndërmjet konsumatorit dhe operatorit furnizues.

Sipas tij,  legjislacioni parashikon një sërë sanksionesh lidhur me penalizimin e konsumatorëve që nuk bëjnë pagesat e faturave të energjisë elektrike, duke filluar nga ndërprerja e furnizimit me energji elektike, zgjidhja e njëanshme e kontratës, për të kaluar më tej edhe me procedura të tjera të parashikuara nga nenet  510 e vijuese të Kodit të Procedurës Civile, në kushtet kur fatura përbën titull ekzekutiv.

Në vijim të këtij argumentimi Avokati i Popullit citon nenin 11 kontratës për   “Pasojat e mospagesës të enegjisë” ku thuhet:

“11.1 Në mungesë të pagesës nga Klienti të faturës brenda 30 ditëve nga kalimi i afatit të caktuar për pagesë sipas neneve 9.1 dhe 10, furnizuesit i lind  e drejta që të bëjë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të Klientit pasi e ka lajmëruar me shkrim këtë të fundit 48 orë përpara. Furnizuesi është i detyruar që të bëjë rilidhjen brenda 48 orëve nga kryerja e pagesës nga klienti.

11.3 Nëse klienti nuk paguan detyrimin që ka ndaj furnizuesit brenda 1 muaji nga data e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike sipas nenit 11.1, atëherë furnizuesi ka të drejtë të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e furnizimit me energji elektrike….”

Shqetësimi i Avokatit të Popullit erdhi pas një urdhëri të Drejtorisë Arsimore të Tiranës, sipas të cilit mësuesit duhet të paraqesnin librezën e pagesës së energjisë elektrike në drejtoritë e shkollave, praktikë që u ndoq më pas edhe nga titullarët e institucioneve të tjera.  Për këtë arsye komisioneri i Avokatit të Popullit kërkoi informacion nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, e cila në shpjegimin e saj thotë se ku urdhër u bazua në vendimin e datës 28 Shkurt 2014 të Task Forcës së ngritur nga qeveria ku thuhet se:

“Ministritë përkatëse për subjektet buxhetore dhe jobuxhetore që mbulojnë në bashkëpunim me Prefektët e Qarqeve të marrin informacion çdo tre muaj mbi pagesën e faturave të energjisë elektrike nga ana e punonjësve të këtyre subjekteve”.

Por Avokati i Popullit e quan këtë urdhër në kundërshtim me çdo normë ligjore, duke kërkuar nga qeveria respektimin e të drejtave të administratës.

“Nga ana Juaj do  të dëshironim që këtë rekomandim ta interpretonit si një mesazh mirëkuptimi me interes të përbashkët, në të mirë të respektimit të ligjshmërisë në veprimtarinë e përditshme të administratës publike, duke respektuar të drejtat e çdo punonjësi të Administratës Publike mbi marrëdhëniet e punës të sanksionuara në Kodin e Punës apo Ligjin e “Nëpunësit Civil”  dhe duke përdorur sanksione të tjera të parashikuara nga ligji dhe institucionet e ngarkuara nga ligji për abuzuesit në rastet e mospagesave të energjisë elektrike.”

Leonard Mitro  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.