Reforma territoriale shkon në Gjykatën Kushtetuese. Bylykbashi i Partisë Demokratike dorëzon kërkesën

Partia Demokratike dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për reformën territoriale, me pretendimin se ndarja e re e territorit është një tentativë e mazhorancës për të hapur dhe fituar zgjedhjet lokale në tavolinë. Deputeti, Oerd Bylykbashi, pasi dorëzoi kërkesën për pezullimin e vlefshmërisë së ligjit për ndarjen e re administrative tha se dyshja Rama-Meta po kërkojnë krijimin e oligarkëve lokalë, ndërsa shprehu bindjen se gjykata do të vërë Kushtetutën mbi këtë shkelje flagrante. “Është një thyerje flagrante e Kushtetutës në shumë aspekte, qoftë në atë procedurial siç e ka miratuar duke shkelur çdo rregull. Qoftë në aspektin e një sërë të drejtash që përcakton Kushtetuta. Me këtë ligj të miratuar me nxitim të jashtëzakonshëm nga mazhoranca jemi përpara një shkelje që ka një synim të vetëm, kapjen dhe fitoren e zgjedhjeve në tavolinë”. Duke u ndalur tek referendumet lokale, Bylykbashi theksoi se ato i takojnë një procesi tjetër. “Por ato janë shprehja e munguar e zërit të qytetarëve, të cilët u ngritën nëpërmjet protestat në rrugët e Shqipërisë, por qeveria nuk i pyeti. Ka kohë ende për të gjitha përgatitjet dhe bërjen e referendumet dhe për të rrëzuar dhe thënë sot kësaj shkelje.”-shtoi Bylykbashi.
L.V
Add new comment