Reforma territoriale, komisioni parlamentar nis punën pa opozitën

Ka nisur punën pa opozitën komisioni për Reformën administrativo-territoriale. Bashkëkryetari i komisionit Bashkim Fino vuri në dispozicion të anëtarëve kriteret e ndarjes së re territoriale. Ai u shpreh se qeveria ka kohë deri më 19 maj për të sjellë variantet e hartës së re të ndarjes së re territoriale. Nga data 19 maj- 20 korrik do të ketë një diskutim me të gjithë organet e pushtetit vendor. Do të diskutohet me kryetarët e komunave, këshillave. “Më pas kjo hartë pas dy muajsh diskutimi do të vijë në Komision dhe më pas do të marrim vendimin përfundimtar për t’ia paraqitur Kuvendit”, u shpreh Fino. Rendi i ditës për mbledhjen e sotme parashikon miratimin e planit të punës së komisionit, i cili do të përbëhet nga nëntë anëtarë të pozitës.
Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi theksoi se komisioni duhet të fitojë kohën e humbur, pavarësisht agjendës tepër të ngjeshur. Pak ditë më parë parlamenti vendosi t’i shtojë një anëtar maxhorancës në komision, duke i hapur rrugë funksionimit të tij, i bllokuar prej tre muajsh nga bojkoti i opozitës. Përfaqësues të maxhorancës sërish i kanë bërë thirrje deputetëve të djathtë që t’i bashkohen komisionit, duke i garantuar për përfaqësim të barabartë në të. Gjithsesi, maxhoranca mbetet e vendosur ta përmbyllë këtë reformë të rëndësishme brenda këtij sesioni parlamentar.
a.k
Add new comment