Reforma territoriale, disa gazeta përqendrohen te ndërhyrja e Venizellos dhe Himara

Disa prej gazetave të përditshme në Tiranë i kanë kushtuar rëndësi parësore ndërhyrjes së ministrit të Jashtëm grek Venizellos për çështjen e reformës territoriale. Me këtë rast qëndrimi i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati se “këto janë çështje tonat të brendshme” del në dritë të mirë, duke përuruar pozitivisht 300 ditësishin e dytë të tij. Ajo që bie në sy është fakti se çdo prononcim i politikës është përcjellë pa iu drejtuar një autoriteti tjetër, kompetent për fushën. Kjo pasi nëse krijohen zona funksionale atëherë edhe ndarjet duhet të argumentohen mbi këtë kriter. Në fakt në informacionet e sotme sundon vetëm retorika nacionaliste, e cila nuk jep asgjë mbi të drejtën ose jo të pretendimit për të mos lejuar bashkimin e Himarës me fshatra të Lumit të Vlorës. Në këtë kuadër Mentor Nazarko është përpjekur të komentojë situatën e krijuar me Athinën zyrtare në një opinion te “Panorama”, por teksa shtjellon ecurinë e çështjes, ndërhyrjen greke e merr në pyetje me një kërkesë. Sipas tij do të ishte e udhës që të kërkohej referendum vendor paraprakisht, pasi tani është e pamundur. Me këtë rast do t’i jepej përgjigje të gjitha spekullimeve. Është në fakt një kërkesë që më shumë sesa zgjidhje përmbajtësore sugjerohet si një formë provokimi dhe sfide ndaj lojërave të vockla që Athina bën prej vitesh në këtë zonë. Por është edhe një apel që në kushtet e tanishme mund të rezultonte problematik. Pasi nëse Himara ka ardhur qëllimisht në qendër të vëmendjes, kalohet pa debat që edhe zona të tjera nuk pajtohen me ndarjen e re. Kështu po sot, “Mapo” raporton se “Dukagjinasit janë kundër ndarjes së re”. Dhe me këtë rast kanë bërë peticion. Me po të njëjtin arsyetim u zbyth qeveria edhe për rastin e Kryevidhit, që për ndonjë zyrtar në Tiranë mund të duket fare pa rëndësi se me cilën njësi do të jetë, po për banorët ka rëndësi të madhe. Këtu nuk debatohet as edhe qëndrimi i opozitës, e cila nuk ka dalë tërësisht kundër, por po propozon në mënyrë të tërthortë shtim njësish. Duhet pranuar pra se ka një arsye në të gjitha këto reagime dhe ajo qëndron te raportet e brendshme të botës shqiptare, tek ato realitete të cilat janë një lloj tradite e që nuk mund të rrafshohen kollaj. Por qëndron edhe tek interesa politike natyrisht. Ndaj edhe nëse pretendimeve si ato të ardhura për Himarën, do t’u jepej një përgjigje e hapur, publike dhe me argument teknik, bazuar edhe mbi kriterin e ndërtimit të Zonës Funksionale, me siguri këto demarshe do të kishin humbur peshën. Këtë nuk e bëri askush, as media. Ndaj edhe përdorimi si gjethe fiku i “argumentit” se “Himara është shqiptare”, të paktën nga ministri përkatës, dëshmon minimalisht një mungesë aftësie në komunikimin politik, po të marrësh në konsideratë faktin se kryetari i bashkisë aktuale të Himarës, Gjergji Goro, i përket politikisht Partisë Socialiste.
s.z
Add new comment