Rastësi që lajmet e para mbi mundësinë (mundësitë) e statusit kandidat i dha një lider i së majtës europiane?

Lajmet e para mbi mundësinë reale të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë i dha lideri i së majtës në Parlamentin e Europian Hanes Svoboda. Z.Svoboda shpjegoi jo vetëm hezitimin e vendeve anëtare por edhe formulën "ekskluzive" për Shqipërinë: një status të kushtëzuar nga ajo që do ndodhë në zgjedhjet e 2013-s.
"Vetëm pasi të dëshmojë zgjedhje të lira e të ndershme" – ishin fjalët e liderit të së majtës në PE, i cili u tregua gjithsesi i matur në mesazhin e tij: "Sigurisht edhe dhënien e statusit me gjendjen aktuale Shqipëria e meriton, por unë e di se ka disa hezitime për këtë. Ende është një rrugë e gjatë për t’u bërë, por të paktën ne duhet ta japim këtë shtysë, këtë sinjal” – i tha ai gazetares së televizionit TCH, Arta Tozaj.
Svoboda ka dhënë edhe detajet e para mbi versionet e këtij vendimi të pritshëm: "….Një nga mundësitë është që vendet anëtare të votojnë tani propozimin e Komisionit për status kandidat ndaj Shqipërisë, por duke thënë se ne do të presim deri në fund këshillën e qartë të Komisionit pas zgjedhjeve të ardhshme. Nëse zgjedhjet e ardhshme shkojnë mirë, atëherë ky vendim validohet. Nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira e të ndershme, atëherë ky vendim do të jetë nul dhe i pavlefshëm. Mundësia e dytë është që të themi ‘Po, statusi është’, por nisja e negociatave të bëhet vetëm pasi ne të shohim se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Pra, ka disa variante, por në ç‘do rast, unë shpresoj për një sinjal të qartë pozitiv për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Këshillit…". -
E përditshmja "Shqiptarja.Com" ka botuar ndërkohë në numrin e sotëm pjesë nga një memorandum i përgatitur nga Komisioni i Zgjerimit, i cili do t'u vihet në dispozicion ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare, ku thuhet se Shqipëria po përmbush "prioritetet kyçe" dhe se vendit "do t'i hapet rruga drejt statusit por me kushte të reja".
(A.N.)
Add new comment