Rasmussen në Maqedoni: Zgjidhni çështjen e emrit që të merrni ftesën në NATO

Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO, por kur të ketë zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë. Kështu ka deklaruar në Shkup Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës më të madhe ushtarake në botë, Anders Fogh Rasmussen. Ai ka thënë në konferencën për shtyp se: “Dyert e NATO-s janë të hapura. Ju nxis në vazhdimin e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje”.
Ndërsa pas takimit që ai pati me Kryeministrin konservator Nikola Gruevski, shefi i NATO-s përshëndeti përpjekjet e Maqedonisë në rrugën drejt integrimit euroatlantik si edhe kontributin e këtij vendi të vogël ballkanik në misionin e ISAF-it në Afganistan dhe të KFOR-it në Kosovë. “NATO-ja është e impenjuar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor që është pjesë natyrale e familjes euroatlantike.
Siguria juaj, stabiliteti dhe e ardhmja janë të rëndësishme për ne. Ju nuk jeni pranë vetëm gjeografikisht me ne, por jeni edhe historikisht dhe kulturalisht”, deklaroi Rasmussen. Ndërsa çështja e emrit të Maqedonisë është një temë e nxehtë mes dy shteteve, Greqia i përmbahet qëndrimit se termi ”Maqedoni” është pasuri historike dhe kulturore helene dhe për këtë fakt ka bllokuar prej vitesh afrimin e Shkupit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. S.S
Add new comment