Raporti i këtij muaji nga FMN...

Postuar në 24 Janar, 2013 15:44

Raporti i këtij muaji nga FMN risjell edhe njëhere në vëmëndje problemin e borxhit të madh publik të vendit. Për herë të parë ai parashikon që rritja ekonomike do jetë nën 1%. FMN-ja nis duke lavdëruar faktin që Shqipëria ka patur rritje të vazhdueshme ekonomike dhe inflacion të qëndrueshëm. Kjo nuk ka ndodhur dhe aq për meritën e politikave të qeverisë se sa për ato të Bankes së Shqipërisë. Vendi vazhdon të ketë eksporte shumë të ulëta. Asgjë që ne prodhojmë nuk u intereson të huajve. Asnjë mall konsumi i përditshëm në Evropë nuk është shqiptar.  Ne eksportojmë këpucë në Itali sepse Italianët nuk pranojnë të helmohen me tutkall me rrogë nën atë minimale, minerale nga Bulqiza sepse të huajt nuk duan të vdesin nën tunele pa kushte sigurie, eksportojmë dhe korale të rralla nga Vlora sepse vendet e tjera  të Mesdheut preferojnë t’i ruajnë pasuritë natyrore në vend që t’i shesin me 700 lekë kilja por nuk shkojmë më tej. Krizë apo jo krizë në Evropë, fqinjët tanë s’kanë qejf të blejnë nga ne. Vetë shqiptarët i shmangin mallrat shqiptare kur kanë mundësi sepse e dinë që për sigurinë e tyre nuk del garant askush. FMN-ja ama paralajmëron se rritja e investimeve të huaja direkte është një domosdoshmëri edhe në afatin e shkurtër.

Bankat shqiptare – thuhet në raport – janë të sigurta sepse BSH ua ka ndaluar qarkullimin e lirë të kapitalit. Kjo është masë e mirë për ndalimin e krizës por shumë bankierë kanë dyshimet e tyre në lidhje me moralin e ligjit. Llogjika sugjeron që BSH nuk mund t’i thotë një biznesi se sa dhe ku dhe kur t’i çojë paratë. Një subjekt privat duhet të jetë i lirë të manaxhojë vetë asetet e tij pavarsisht cilës industrie i përket. Ligjet me diktate janë tipike të një ekonomie të centralizuar dhe është kjo arsyeja pse tashmë pakkush që nuk ka qejf korrupsionin investon në Ekuador, Venezuelë …apo Shqipëri. Veçanërisht në një treg gati-monopol bankar të dominuar nga Reiffeisen Bank, ky rregull u ka hequr bankave të vogla të vetmin avantazh – fleksibilitetin. Është kjo arsyeja pse bankat ndërrojnë duar kaq shpesh. Kujtoni Banka Dardania, Banka Italo-Shqiptare, Banka Amerikane, Banka Popullore, etj. që janë shitur e blerë si kioskat e Lanës sepse investitorët janë lodhur me mënyrën si funksionon tregu bankar shqiptar.

Me një ent rregullator me teka dhe nivel kredish të këqija që ka prekur majat, bankave u mbetet një avantazh i fundit, norma e lartë e borxhit publik. Si për t’iu prishur planin, FMN-ja paralajmëron se tashmë financimi i defiçitit dhe ekonomisë me akoma më shumë borxh publik është tepër i rrezikshëm. Duket se tashmë Shqipëria e ka kaluar nivelin kritik prej 60% dhe ende guvernatori nuk ka bërë asnjë deklaratë për këtë. Ai vazhdon të ndrydhet nga diktatura e ministrit të financave (i cili sipas gjasave ndrydhet nga diktatura e kryeministrit) dhe bën atë që mundet për të akomoduar politikën fiskale duke përdorur atë monetare me sa më pak pasoja.  Si shumë intelektualë të tjerë, edhe ai ka frikë të flasë.

Me elegancën që e karakterizon, FMN-ja paralajmëron se megjithë situatën e tendosur, do ishte gjithashtu e rrezikshme të ulësh borxhin publikun menjëherë duke i dhënë mbase një sinjal edhe opozitës nqs fiton zgjedhjet e ardhshme se respektimi i kërkesave të Mastrihtit nuk do jetë i mundur deri në 2018-ën prandaj ajo pikë e programit duhet rishikuar. Raporti përfundon me sugjerimet se ekonomia ahqiptare mund të rimëkëmbet vetëm nëse zgjidhet e drejta e pronës, zbatohet ligji dhe përmirësohet infrastrukturëa po këtë na e kanë thënë që në 1992-shin … E.Avdullari

 

Më shumë:

http://www.imf.org/external/pubs/ft/survey/so/2013/CAR011113...

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.