Ramazan Spahia: Po Lirak Bejkon për çfarë do ta akuzosh, o Sali Berisha?

Postuar në 22 Tetor, 2012 15:50

Pas mbylljes së grevës së urisë së të burgosurve politikë, vizituam në Spitalin Amerikan të Tiranës 75-vjeçarin 45-kilësh Ramazan Spahia, një nga të ngujuarit e fundit të asaj greve (Ramazani, pasi doli nga greva e urisë, nuk pranoi të shkonte në spitalin shtetëror). Gjatë kohës që po vizitonim Ramazanin në spital, në televizor u shfaq zëdhënësja e PD-së, e cila e filloi deklaratën e saj me këto fjalë: “Dje nuk ishin vetëm Rama dhe aleatët e tij, trafikanti i grave dhe vajzave shqiptare Tufa dhe përdhunuesi e gjobëvënësi Patrioti, apo Shqevi me tre emra, që në një akt terrorist i vuri zjarrin për qëllime politike shokut të vetë me çrregullime të thella mendore, ata që mashtronin opinionin…

Në këtë moment, Ramazani, i cili po merrte një serum, iu drejtua televizorit: “Po mirë o Sali Berisha, iu sajove nga një vegjë Tufës, Patriotit, Shqevit dhe Ndrecës, po për Lirak Bejkon, çfarë do të thuash??? U lye me benzinë Liraku e i vuri flakën vetes para gjithë botës, sepse u revoltua nga shpifjet e tua për Gjergj Ndrecën që ishte djegur një ditë më parë, o Sali Berisha! Dhe dy ditë më parë Liraku i kishte treguar ambasadorit amerikan dhëmbët që ia kishin thyer hetuesit komunistë që ti sot i mban rrotull vetes, o Sali Berisha!”

Ramazan Spahia u torturua egërsisht për 23 muaj në hetuesinë e Peshkopisë, për ta detyruar të dëshmonte se edhe miq të tij, si ai, kishin bërë propogandë kundër pushtetit komunist. Por Ramazani nuk u thye. Pas revoltës në burgun e Qafë Barit, në të cilën mori pjesë, Ramazani u torturua barbarisht për 3 muaj rresht, që të tregonte si cili kishte qënë inisiatori i revoltës, por ai së bashku me Vllasi Koçin e Fatmir Lamajn (bashkë-grevistë të tanishëm), nuk u thyen. Kur e pyetëm Ramazanin sesi ishin ata 3 muaj në krahasim me 23 muajt e hetuesisë, tha se këto të fundit kishin qenë si mjaltë krahasuar me 3 muajt e tmerrshëm të Qafë Barit...

E.Zaloshnja
Në foton shoqëruese: Pamjet tronditëse të Lirak Bejkos pak sekonda pasi i vuri flakën vetes (News 24)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.