Rama: Reforma administrative territoriale, “ilaçi” që do të shërojë plagën e copëtimit të territoreve

Kryeministri Rama ka prezantuar projektet e përzgjedhura për reformën territoriale dhe për të rigjeneruar nga pikëpamja urbane rajonet dhe qytetet. “Është një pakete e re dhe transformuese investimesh e cila hapet sot por nuk mbyllet sot. Projektet që do të marrin udhë menjëherë janë projekte që dolën fituese nga thirrja e parë, thirrja e dytë është e hapur dhe pjesa tjetër e paketës së investimeve do të plotësohet me përzgjedhjen e proceseve të tjera. Por nga ky proces ka disa gjëra të rëndësishme. Ne kemi parë si kanë funksionuar në vite një fond i quajtur i zhvillimit të rajonit pa asnjë standard nga pikëpamja e projektimit, pa asnjë standard nga pikëpamja e përzgjedhjes dhe nga pikëpamja e implementimit. Në të njëjtën kohë kjo mungesë standardesh lidhet edhe me një mungesë të qartë kapacitetesh në nivelin vendor dhe në një mungesë të përbashkët kapacitetesh për të financuar zhvillim rajonal në kushtet e një fragmentimi kaq dramatik të territorit dhe një copëzimi kaq asfiksuese të administrimit vendor”, tha Rama.
Ndërsa e ka cilësuar si një plagë të rëndë copëzimin e territorit gjatë këtyre viteve, kryeministri Rama theksoi se i vetmi shërim për të është reforma administrative-territoriale. I pranishëm në këtë prezantim zv.kryeministri Niko Peleshi ka theksuar gjatë prezantimit të këtyre projekteve se falë tyre do të hapen mijëra vende të reja pune.
“Ka pasur një debat në parlament nëse buxheti është I shtrëngimit të rripit apo është një buxhet i rritjes ekonomike. Projektet që fillojnë sot, që marin sot rrugën e zbatimit vërtetojnë se ky buxhet nuk është i orientuar drejt masave shtrënguese. Vetë situata financiare e këtij viti mund ta kushtëzonte atë por puna e palodhur e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me FMN dhe BB na kanë mundësuar një buxhet të shëndetshëm sepse kemi mundur që brenda tij të krijojmë hapësira për projekte zhvillimi për investime publike kaq të rëndësishme për jetën e qytetarëve. 100 milionë dollarë të alokuara nga buxheti në fondin e zhvillimit të rajoneve në projektet e infrastrukturës vendore, arsimit, shëndetësisë, artit dhe kulturës dhe mjedisit. Rreth 100 kantiere të reja pune do të fillojnë nga sot, qindra biznese ndërtimi, biznese shërbimesh të lidhura me to do të fillojnë sot të kenë një treg dhe një frymëmarrje të re. Mijëra vende të reja pune do të happen nëpërmjet këtyre projekteve gjatë vitit 2014” tha ai.
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, shtoi se “Rilindja Urbane”, tashmë nuk është më një slogan elektoral, por ka filluar të materializohet përmes investimeve.
S.S
Add new comment