Rama pas statusit: No Party, ftoj Bashën të dialogojmë për gjithçka, por s’duhet të humbasim më kohë

Postuar në 24 Qershor, 2014 07:23

Shenjë shumë e qartë për drejtimin e Shqipërisë, por nuk ka vend për asnjë eufori. Kështu e cilësoi kryeministri Rama në një konferencë për mediat, marrjen e statusit të vendit kandidat. Kreu i Qeverisë u shpreh se vula mbi këtë vendim do të vendoset nga Këshilli Europian dhe atëherë do të jetë edhe koha për të bërë një përmbledhje më të plotë dhe për të adresuar gjithë kënaqësinë dhe reflektimet tona. Kreu i Qeverisë u shpreh i gatshëm për të diskutuar me kreun e PD-së Lulzim Basha për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me punën e përbashkët, por nga ana tjetër mazhoranca dhe Shqipëria nuk kanë më kohë për të humbur për të ecur më shpejt përpara në rrugën e integrimit.

“Statusin nuk do e bëj më të rëndësishëm sot sesa dje dhe as do i bie gjoksit që morrëm statusin. Ne bëmë detyrën tonë dhe e morrëm në kohë rekord. Kam pasur neveri kur kam parë qeverinë paraardhëse kur organizonte koncerte dhe të mbushte qiellin me fishekzjarre për të shfrytëzuar politikisht arritje të kësaj natyre. Çiljeta nuk do të këndojë këtë herë dhe ne do të ftojmë të gjithë ata që mendojmë se duhen ftuar, do të ftojmë edhe Sali Berishën për të qenë së bashku në një festë dinjitoze dhe modeste për të adresuar në atë festë gëzimin tonë për atë që u arrit dhe reflektimet tona. Nuk do të monopolizojmë statusin për qëllime politike”, tha Rama.

Në lidhje me një bashkëpunim të mundshëm me opozitën për realizimin e reformave, Rama tha se për një vallëzim duhen dy vetë, vetëm vallja e shpatave kërcëhet vetëm. “Për reformën territoriale ne jemi të gatshëm të dëgjojmë mendimin e tyre për 5 variantet tona apo të na paraqesin variantet e tyre. Por koha nuk pret, megjithëse mjafton edhe një ditë e vetme për një reformë që për 23 vite të gjitha palët duan ta bëjnë. PD ka të gjithë ekspertizën e duhur për këtë reformë, por varet nga vullneti që kanë. Do ishte mirë që ta bënim sëbashku këtë reformë, pasi është një reformë që sa më shumë konsensus të ketë aq më mirë është. Por ne do e bëjmë, edhe po nuk erdhën”, theksoi Rama, pa harruar të falendërojë edhe kancelaren gjermane Merkel, vërejtja kryesore e së cilës ishte gjendja e gjyqësorit dhe drejtësisë shqiptare.

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.