Rama para deputetëve: Statusi është shumë afër; së shpejti reforma reale në drejtësi

Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së i ka shërbyer kryeministrit Edi Rama për të përcjellë mesazhin entuziast për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE muajin e ardhshëm, e njëherë të shigjetojë opozitën për deklaratat e kohëve të fundit ndaj qeverisë dhe atij si person. “Kemi arsye të forta të besojmë se kurrë s’kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik. E pa mundur dukej para shtatorit nxjerrja e Shqipërisë nga një izolim faktik ndërkombëtar. Sot Shqipëria ka rifilluar të shihet ndryshe dhe të dëgjohet gjithnjë e më me shumë respekt, falë qeverisë së re dhe falë rezultateve tona të para që janë në përputhje të plotë me pritshmëritë e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Rama. Lidhur me opozitën, kryeministri e quajti fushatën e akuzave për trafikun e drogës si “gënjeshtra, shpifje, fabrikime, dizinformim frontal dhe gjuhë e trashur që e vetëdiskretitojnë PD, konkretisht një grup pushtetarësh të bërë tapë nga humbja e 23 qershorit që lanë që Shqipërinë të mbillte kanabis si kurrë më parë, që i kanë dhënë statusin vetes të shpëtojnë Shqipërinë nga zjarri i drogës”. Por ndoshta më kryesorja në mesazhin e Ramës, është se “ka ardhur koha për të bërë reformën në drejtësi duke çelur një kapitull të ri. Reforma në drejtësi do të bëjë që dora e drejtësisë të mos ndalet para askujt, as përpara të veshurve me kostumin e politikës dhe as para të veshurve me petkun e drejtësisë”.
a.k
Add new comment