Rama me deputetët: Kryefjalë, thithja e investimeve dhe bujqësia

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar socialist u kërkoi deputetëve të bëhen promotorë të investimeve të huaja në zonat ku janë zgjedhur. “Është e domosdoshme që deputetët të bëhen pjesë integrale e përpjekjeve për të sjellë në Shqipëri kompani investimesh nga vendet fqinje dhe më gjerë akoma”, deklaroi Rama, duke shtuar se vetëm kështu do shtohet punësimi dhe ekonomia do largohet nga zona e rrezikut. Sipas kryeministrit, shumë shpejt do të nisë planifikimi i vizitave të deputetëve jashtë vendit, për t’u paraqitur investitorëve të huaj avantazhet dhe përparësitë e zonave që përfaqësojnë. Mirëpo siç ka ndodhur rëndom në të shkuarën, ndër pengesat kryesore të investimeve të huaja kanë qenë paqartësitë për pronësinë e tokës. Ndaj Rama theksoi që në fund të mandatit katërvjeçar të ketë përfunduar puna për cerfitikatat e tokës apo për sigurimin e ujit në parcelat e fermerëve. “Çertifikatat e pronësisë mbi tokën, uji në çdo parcelë, kooperim mes fermerëve, janë elementët themelorë që secili prej nesh ka bërë me banorët e zonave rurale, që në fund të këtij mandati këto të jenë kapituj të mbyllur. Është koha të kthehemi tek tokat e bukës, që të çojmë deri në fund premtimet që kemi dhënë. Është koha që të legalizojmë falas të gjitha banesat. Kemi marrë një mandat që t’ju shërbejmë njerëzve dhe Shqipërisë me përkushtim”, tha Rama.
a.k
Add new comment