Rama: Mbështesim drejtësinë, do bëjmë hapat e nevojshëm që Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë moralisht

Postuar në 06 Shtator, 2014 13:27

Kryeministri Rama ka nisur kontaktet për të diskutuar mbi situatën e krijuar pas arrestimit të guvernatorit Fullani. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit, sipas së cilës që herët në mëngjes Rama ka pasur një sërë telefonatash me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë të qeverisë dhe me pas një takim me përfaqësuesit e FMN, të cilët i ka garantuar se qeveria është e gatshme të mbështesë prokurorinë e drejtësinë që të çojë deri në fund punën e nisur si dhe të garantojë pavarësinë e BSH, e kapërcimin e kësaj situate. “Mbështetja për prokurorinë e drejtësinë për të kryer deri në fund punën e nisur dhe garantimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë  për të kapërcyer situatën me autoritet të plotë moral e profesional  duhet të jenë dy pika të palëvizshme referimi për qeverinë në trajtimin e këtij problemi madhor”, citohet të jetë shprehur Rama.  Ai ka thënë ndër të tjera se, “Kryeministri e qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin  do të ndërmarrin me përgjegjshmëri të lartë morale e përgjegjësi të plotë ligjore të gjithë hapat e nevojshëm që Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë moralisht, më e sigurt institucionalisht, më transparente administrativisht dhe padyshim më e pavarur, nga një situatë si kjo që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen”.  Në fund të deklaratës nga zyra e shtypit thuhet: “Kryeministri Edi Rama dëshiron të shprehë respektin dhe mbështetjen e qeverisë të gjithë teknicienëve të Bankës së Shqipërisë, aftësitë e spikatura dhe puna e përkushtuar e të cilëve janë një bazë shumë e sigurt për qëndrueshmërinë e padiskutueshme të institucionit, pavarësisht situatës së krijuar në majën e drejtimit të tij”.

L.V 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.