Qokat e Berishës, non stop: Hidrokarbure dhe troje publike tek privati

Qeveria në ikje ka miratuar 10 ditë më parë 9 Marrëveshje Hidrokarbure, por dorëzimi i tyre është bërë ditën e sotme në mënyrë të menjëhershme. Deputeti socialist, Erjon Braçe e ka quajtur batërdi vijimin e transferimeve “rrufe” të këtyre hidrokarbureve tek privati. Bëhet fjalë për vendburime të gazit në Frakull, Povelcë, Divjakë, Ballaj, Kryevidh, etj. Braçe në faqen e tij në Facebook, i bën thirrje ministrit aktual të Ekonomisë, Florion Mima dhe drejtorit të “Albpetrol”, Ferdinand Murati të tërhiqen nga ky veprim, pasi këto asete janë ende të listuara në një proces privatizimi të pambyllur dhe nga privatizimi i tyre rrezikojnë të mbeten të papunë mijëra punëtorë.
Nga ana tjetër, Top Channel raporton se listës së gjatë të pasurive publike, që u janë kaluar privatëve i është shtuar edhe një tjetër objekt, ai i parkut të automjeteve në Ministrinë e Brendshme. Bëhet fjalë për një sipërfaqe 550 metër katrorë, e cila është dhënë me qera për 20 vjet për ambiente shërbimi. Vendimi është marrë muajin e kaluar, ndërkaq në zonë privatët kanë nisur të ndërtojnë.
Ndërkohë që vendime qeveritare të kësaj natyre, të befta dhe të fshehta, pasojnë njëri-tjetrin, nuk kanë munguar edhe batutat në rrjet, se derisa kryeministri Rama të hyjë në selinë e ekzekutivit, mund të zbulojë se kryeministria është dhënë me qera a konçesion.
a.k
Add new comment