Qeveritarët shqiptarë përfitojnë miliona lekë shtesë nga pjesëmarrja në borde dhe komisione

Postuar në 04 Tetor, 2014 02:11

“Gazeta Shqiptare” në një shkrim të së shtunës botuar me firmën e gazetarit Lorenc Rabeta, thotë se përveç të ardhurave nga pagat, qeveritarët e lartë përfitojnë edhe të ardhura të konsiderueshme shtesë. Kjo falë të qenit kryetarë apo anëtarë - paralelisht - në një listë të gjatë bordesh, këshillash e komisionesh shtetërore. Të ardhurat nga pjesëmarrja në këto komisione luhaten nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë për çdo pjesëmarrje, ndërkohë që duhet nënvizuar se disa prej tyre mblidhen edhe 12 herë në vit. “Gazeta Shqiptare” shkruan se të ardhurat e tyre mund të shtohen deri dhe me 240 mijë lekë nga pjesëmarrja në vetëm një bord, ndërkohë që disa krerë të lartë të qeverisë janë njëherësh pjesë e disave prej tyre. Konkretisht, 14 anëtarët e KLD-së do të marrin 10 mijë lekë të reja për çdo mbledhje. Vetëm Presidenti nuk përfiton. Përmes një vendimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar listën e "emërtesës së çdo këshilli, bordi apo komisioni, numri i anëtarëve në përbërje të tyre, numri maksimal i pagesave në një vit pavarësisht numrit të mbledhjeve të kryera, si dhe masa e pagesës së kryetarit dhe anëtarëve për çdo këshill, bord ose komision".  “Gazeta Shqiptare” shkruan gjithashtu se nga tabelat e sapomiratuara nga qeveria bie në sy që pagesat më të larta i përfitojnë kryetari dhe anëtarët e Këshillit Rregullimit të Territorit në RSH, të cilët përfitojnë pa dallim 20,000 lekë për çdo mbledhje. Në Bordin e Menaxhimit për Kontrollin e Brendshëm Financiar përfiton 20,000 lekë për çdo takim kryetari dhe nga 15,000 lekë anëtarët. Po kaq paguhen edhe kryetari e anëtarët e Këshillit të Lartë të Arsimit dhe Shkencës, si dhe të disa këshillave të tjerë.

 

L.V

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.